Ilir Meta ndodhet në një konferencë për mediat, në mbyllje të vizitës fakt-mbledhëse të delegacionit të Venecias në Tiranë. I pyetur se kush ishin ata që mund të digjnin Parlamentin, Meta tha se informacioni është tërësisht i vertetë, por nuk mund të japë më shumë informacione, pasi është material i klasifikuar (sekret). Ai këmbënguli se situata në fillim të qershorit ishte e rrezikshme, dhe vendi mund të shkonte në luftë.
“Nuk mund të them diçka më shumë. Ata (Komisioni Hetimor) e kanë mundësinë ta marrin këtë informacion. Pas dëshmisë sime, Komisioni ka bërë kërkesë zyrtare, dhe ne do ti japim informacion sipas ligjit.
Është tërësisht i vërtetë si informacion, sepse unë s’kam thënë kurrë gënjeshtra… Ishte një situatë tërësisht e çmendur, siç e përshkroi edhe raporti final i OSBE/ODIHR-it.
Citoj raportin: “Ky antagonizëm ishte tregues i mungesës së përgjegjësisë së përbashkët, dhe rrjedhimisht ndikoi në zgjedhje”. Pra, pas antagonizmit vjen vetëm lufta. Dhe kishte mungesë të përgjegjësisë së përbashkët politike, ndaj nxora dekretin për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit”.