Kryedemokrati Basha tha në një deklaratë nga selia blu se konstatimet e dala raporti i OSBE-ODIHR-it, rrëzuan jo vetëm 30 qershorin, por të gjithë shtetin e Edi Ramës. Në të njëjtën linjë qëndron edhe ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi, i cili jep një alternativë për të ‘fituar’ prej raportit. Me anë të një analize të ndarë me ndjekësit në Facebook, ai shkruan ndër të tjera se raporti të lë të nënkuptuar se të dyja palët janë pjesë e përgjegjësisë për produktin dhe rezultatin e deformuar të 30 qershorit.
Ai shprehet se vendi ynë po vuan sot pasojat e një krize të fortë përfaqësimi, dhe se e vetmja rrugë për ta zgjidhur krizën politike në një vend demokratik është vota. “Nëse duam që raportin e OSBE/ODIHR-it ta lexojmë me realizëm, duhet të nisim që sot betejën për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka më dilema për kalbëzimin e plotë të “Rilindjes”, si filozofi dhe si praktikë qeverisëse”, shkruan ai.
Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Patozi thotë se zgjedhjet e reja nuk do të kishin asnjë kuptim pa një reformë të plotë dhe rrënjësore, e cila duhet të çrrënjosë pushtetin absolut të kryetarëve të partive.
Statusi
KA VETËM NJË MËNYRË PËR TË “FITUAR” PREJ RAPORTIT TË OSBE/ODIHR-IT
Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe më të këqija, se sa ato përshkruhen në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur, sepse afro 250 vëzhgues të huaj nuk mund t’i shihnin dhe konstatonin të gjitha shkeljet në një proces zgjedhor problematik dhe tërësisht të zhbalancuar, i cili kishte nisur mbrapsht që në castin kur disa forca kryesore politike morën vendimin për të bojkotuar. Por ky raport realist nuk të jep shumë mundësi për t’u krenuar, sepse është njësoj sikur dikush të fërkojë duart se i doli fjala që e zuri ujkun duke ngrënë, pasi më parë i kishte varur atij mëlçitë në qafë.
30 qershori është një histori për t’u harruar, si për ata, që nuk po i gëzohen dot fitores “publiçitare” të 61 bashkive, të cilët dëshmuan se i vjedhin votat edhe kur nuk kanë fare kundërshtar përballë, po ashtu edhe për të tjerët, që po thonë se kanë fituar me 85 qind, mëgjithëse nuk morën pjesë në zgjedhje fare.
Raporti nuk e thotë, por e lë të nënkuptohet qartë, se të dyja palët janë pjesë e përgjegjësisë për produktin dhe rezultatin e deformuar të 30 qershorit. Natyrisht, secili mund të shkëpusë prej raportit vetëm paragrafët, që i pëlqejnë apo interesojnë, dhe kjo ka ndodhur pothuajse gjithmonë me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për Shqipërinë.
Por kjo nuk e ndryshon fare nevojën emergjentë të vendit për të lënë pas një epokë të palavdishme dhe shumëvjeçare me zgjedhje të manipuluara për shkak të sistemit tonë politik, i cili ndodhet në fazën fundore të degradimit. Raporti OSBE/ODIHR-it është një arsye më shumë se përse kjo qeveri nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë të vetme në pushtet, por në një vend të lirë ky objektiv arrihet vetëm përmes zgjedhjeve.
Ndaj edhe ai nuk mund të shërbejë kurrësësi si një justifikim për të përligjur mospjesmarrjen në procesin e shumëdebatuar të 30 qershorit, dhe aq më pak si një shtysë për teka apo trille të tjera, që mund të dalin për të shmangur apo shtyrë zgjedhjet e radhës.
Shqipëria po vuan sot pasojat e një krize të fortë përfaqësimi, të cilën 30 qershori, për shkak të kontekstit politik të paprecedent, e theksoi edhe më shumë. Dhe e vetmja rrugë për ta zgjidhur krizën politike në një vend demokratik është vota.
Nëse duam që raportin e OSBE/ODIHR-it ta lexojmë me realizëm duhet të nisim që sot betejën për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka më dilema për kalbëzimin e plotë të “Rilindjes”, si filozofi dhe si praktikë qeverisëse. Por, sigurisht, që zgjedhjet e reja nuk do të kishin asnjë kuptim pa një reformë të plotë dhe rrënjësore, e cila në radhë duhet të çrrënjosë pushtetin absolut të kryetarëve të partive, duke mos u dhënë praktikisht asnjë mundësi njerëzve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Ne nuk kemi nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera të dështuara për t’u bindur se komisionet e votimit dhe të numërimit, duke filluar që nga KQZ-ja, nuk mund të lihen prapë në mëshirën e miilitantëve politikë dhe për këtë mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it.
Oferta e qartë dhe e detajuar për një sistem të ri politik, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës dhe vijon me një reformë të thellë zgjedhore, duhet të jetë hapi i parë i opozitës për t’i dhënë vendit një zgjidhje afatgjatë për këtë krizë të rëndë politike. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, gjithkush në Shqipëri ka të drejtë të mendojë se edhe opozita është e interesuar për ta ruajtur statuskuonë e kryetarokracisë dhe se ajo thjesht po pret kohën se mbase një ditë mund të vijë në pushtet, për të gëzuar të njëtat privilegje kushtetuese dhe ligjore, të cilat prej 6 vjetësh po i keqpërdor, jo pa sukses, Edi Rama.