Dy të rinj kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi janë kapur me monedha të falsifikuara.
Bëhet fjalë për një 17-vjeçar me iniciale A.Ç. dhe një 21-vjeçar K.Ç. Ky i fundit është proceduar në gjendje të lirë.
Duke iu referuar njoftimit të policisë, dy të rinjtë janë kapur në zonën e “Zogut të Zi”, pasi kanë furnizuar mjetin e tyre me karburant në një pikë aty pranë dhe i kanë dhënë punonjësit të karburantit një kartëmonedhë të prerjes 50 euro të dyshuar të falsifikuar.
Njoftimi i policisë:
Furnizuan mjetin me karburant, duke përdorur një kartmonedhë të dyshuar të falsifikuar, në pranga një shtetas dhe një tjetër procedohet në gjendje të lirë.
Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë arrestoi në flagrancë shtetasin:
– A. Ç., 17 vjeç, banues në Tiranë.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi:
– K. Ç., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë furnizuar mjetin me karburant në një pikë karburanti pranë “Zogut të Zi”, dyshohet se i kanë dhënë punonjësit të karburantit një kartmonedhë të prerjes 50 euro të dyshuar të falsifikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale të “Fallsifikimit të monedhave të kryer në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 183/2 i Kodit Penal.