Nga Janusz Bugajski “Center for European Policy Analysis”
Kremlini është duke u përgatitur, për të ndërmarrë një tjetër ndërhyrje armiqësore kundër zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2020. Është ende e paqartë, se cilin kandidat do të favorizojë, por objektivi i saj kryesor është të thellojë përçarjet në shoqërinë amerikane, dhe të përhapë mosbesimin mbi procesin demokratik.
Zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, ishin një testim i operacioneve ruse të infiltrimit dhe ndikimit. Që atëherë Kremlini ka zhvilluar metoda të reja, si dhe ka hartuar rrugë të reja për të përmbushur qëllimet e tij. Ka shumë të ngjarë, që ai të fokusohet në të paktën katër 4 operacione sulmi:përhapjen e dezinformatave të rreme, rekrutimin e influencuesve në internet, sulmin kibernetik ndaj listave zgjedhore, dhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Përveç teorive të zakonshme të komplotit, që përhapin përmes internetit agjentëve rusë, Moska ka tashmë mundësinë e përdorimit të softuerëve, të cilët përhapin informacione të rreme. Kjo teknologji, mundëson shpërndarjen në rrjet videove të manipuluara apo modifikuara në atë shkallë, sa që ato duken si jashtëzakonisht të vërteta.
Përdorimi i këtij mjeti në një shkallë të madhe, do t’u japë mundësi propagandistëve të krijojnë realitete të reja për votuesit e mundshëm, dhe t’i bindin ata se videot e fabrikuara janë reale. Dezinformimi i madh vizual dhe ai informativ, do të lehtësojë manipulimin e mendjeve të votuesve, si dhe do të forcojë paragjykimet ekzistuese.
Në kushtet kur publiku ka sot pak besim tek mediat tradicionale, do të jetë shumë e vështirë të binden disa konsumatorë, se një video e caktuar është e sajuar. Pra teknologjia do të shërbejë për të hutuar, përçarë dhe polarizuar më tej votuesit, dhe për të rritur mosbesimin ndaj politikanëve dhe gazetarëve.
Një mënyrë e dytë e efektshme për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, është rekrutimi i një skuadre ndikuesish në internet, që e kuptojnë audiencën amerikane, dhe që e dinë se si mund të depërtojnë tek ata dezinformatat dhe propaganda.
Këta aktivistë të rrjeteve sociale, mund të binden ose paguhen për të siguruar informacione mbi audiencën dhe platformat ku ata bëjnë pjesë, të specifikojnë se cilat mesazhe rezonojnë me grupe të veçanta qytetarësh, dhe t’i shfrytëzojnë kontaktet e tyre të gjera, për të përhapur çdo ditë informacione të rreme.
Me gjithë pretendimet e Facebook, se ka mbyllur mbi 2 miliardë llogari false gjatë 2 viteve të fundit, numri i mediave mashtruese vazhdon të rritet. Kremlini, mund t’i përshtatet rrethanave të reja, dhe t’i anashkalojë kufizimet duke përdorur njerëz të vërtetë, në vend të llogarive të rreme për të përhapur dezinformimet.
Një zinxhir njerëzor në zgjerim në shërbim të inteligjencës ruse, mund të depërtojë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë amerikane për të mbjellë mosmarrëveshje, dhe propaganduar në favor të kauzave të veçanta. Shpërndarësit e komploteve të rreme, mund të shfrytëzojnë tensionet midis grupeve të ndryshme shoqërore.
Këtu mund të përfshihen përçarjet mes demokratëve dhe republikanëve, liberalëve dhe konservatorëve, brezave të rinj dhe atyre të moshuar, banorëve të qytetit dhe fshatrave, atyre me të ardhura më të larta dhe shtresave me të ardhura më të ulëta.
Fushata e dezinformimit, mund të shfrytëzojë dhe gjenerojë konflikte midis shumicës dhe pakicave të ndryshme fetare, etnike, kulturore dhe seksuale. Ashtu si në operacionet e saj kundër demokracive evropiane, Moska synon një spektër të gjerë politik dhe ideologjik.
Në Shtetet e Bashkuara, ajo mund të forcojë njëkohësisht supremacinë e bardhë dhe rezistencën e pakicave, ose të nxisë debatet mes ungjillorëve konservatorë dhe progresistëve të majtë, përmes rrjeteve të saj të shtuara të dezinformimit. Një perspektivë e tretë edhe më shqetësuese gjatë zgjedhjeve të ardhshme, është ndërhyrja në listat e zgjedhësve.
Një raport i fundit i senatit amerikan, arrin në përfundimin se shërbimet ruse të inteligjencës, ndërhynë kibernetikisht në infrastrukturën zgjedhore të SHBA-së gjatë vitit 2016, dhe po përgatiten të bëjnë të njëjtën gjë në vitin 2020.
Zyrtarët ushtarakë rusë, po studiojnë sistemin e decentralizuar elektoral në SHBA, për të identifikuar hallkat më të dobëta, me synim përgatitjen e një sulmi të mundshëm kibernetik përpara nëntorit të vitit 2020. Kjo mund të përfshijë fshirjen ose skualifikimin e zgjedhësve të caktuar, për të ndikuar në rezultatin e një shteti të caktuar.
Raporti i Senatit, thekson se hakerat e GRU (zbulimi ushtarak rus), kanë kryer misione zbulimi në internet në të 50 shtetet e SHBA-së. Edhe pse hetuesit nuk kanë gjetur prova të qarta, se listat e votuesve janë modifikuar gjatë këtyre ndërhyrjeve, ka shumë mundësi që agjentët e Moskës janë duke u përgatitur për një operacion të ardhshëm.
Një element i katërt, është rreziku i prishjes së rezultatit zgjedhor. Një haker i sofistikuar mund të ndërhyjë në zona të veçanta zgjedhore, ku diferencat midis kandidatëve presidencialë janë të vogla, siç ndodhi në disa shtete të Mes-Perëndimit në nëntor 2016.
Edhe fshirja apo tjetërsimi i një përqindje të vogël votash, mund të kenë një ndikim vendimtar mbi rezultatet e zgjedhjeve. FBI dhe agjensitë e tjera, kanë filluar një fushatë kundër-zbulimi, për të sabotuar operacionet ruse të ndikimit dhe sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Agjentët po hetojnë nëse ndonjë qytetar amerikan, po ndihmon në mënyrë aktive sulmin rus, qoftë përmes stimujve financiarë, apo përmes shantazhimit. Ndërsa fushata zgjedhore po afron, kundërshtarë të tjerë të SHBA-së si Kina dhe Koreja e Veriut, mund të imitojnë metodat e Kremlinit, dhe të testojnë më tej sistemin e brishtë mbrojtës të SHBA-së./ TIRANA TODAY