Rreth 2800 m2 plazh në Shëngjin janë liruar gjatë ditës së sotme, pasi ishin zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas policisë, janë proceduar penalisht 7 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.
Ndërkohë nga ky aksion i radhës i operacionit “Plazh i lirë” janë sekuestruar 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni “Plazh i lirë”
Lirohen rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike. Procedohen 7 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”.
Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi, në zonën e bregdetit në plazh në Kune, Shëngjin.
Si rezultat, janë konstatuar 7 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”.
Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë.