Brenda një viti në Kosovë janë shënuar gjashtë raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë femrat. Katër nga këto raste, burri ka vrarë gruan e tij, në një rast viktimë ka qenë vajza e të dyshuarit, kurse në rastin tjetër viktimë ka qenë gruaja e djalit të të dyshuarit.
Rasti i fundit i dhunës në familje që përfundoi me fatalitet, ishte të martën në Prizren, ku një grua është vrarë me armë zjarri, kurse i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj.
Përveç vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, 785 raste janë raportuar për dhunë në familje, ku 620 nga to, viktima kanë qenë femrat, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, vitin e kaluar 1533 ka qenë numri i rasteve të raportuara për dhunë në familje, kurse në 1229 raste viktima kanë qenë femrat.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se dhuna në familje, konkretisht vrasja e grave, është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues për shoqërinë dhe autoritetet kompetente.
Sipas tyre, masat ndëshkuese ndaj kryesve të këtyre veprave, janë ashpërsuar, mirëpo vrasjet nuk janë ndalur.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje parasheh dënimin me burgim të përjetshëm.
Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se deri më tani kjo gjykatë, ka vërtetuar dy dënime me burgim të përjetshëm, mirëpo njëri është kthyer në rigjykim.
“Gjykata e Apelit së fundmi ia ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetësohem të akuzuarit Naser Pajazitaj, i cili është shpallur fajtor nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë,për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Gjatë muajit shkurt të këtij viti, kjo gjykatë po ashtu, ia pat shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm të akuzuarit Pjetër Nrecaj, për shkak të vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së tij Klara Nrecajt. Ky rast është kthyer ne rigjykim, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nga ana e Gjykatës Supreme”, thotë Jashari.
Dënimet me burg të përjetshëm janë të veprave të kryera vite më parë.
Pjetër Nrecaj, për të cilin rasti është kthyernë ri gjykim, vitin e kaluar kishte vrarë gruan e tij, 40-vjeçaren Valbona Nrecaj dhe vajzën e tyre 9-vjeçare.
Ndërkaq, në fund të vitit 2015, ishte gjetur e trupi i Donjeta Pajazitaj,i dyshuar kryesor për vrasjen e saj është N.P, kushëri i familjes Pajazitaj, që tashmë është dënuar me burg të përjetshëm.
Edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron rastet në gjykata, thonë se deri më tani është shpallur vetëm një dënim me burgim të përjetshëm.
Kurse, për gjashtë raste tjera gjykatat në shkallën e parë kanë shpallur dënim të përjetshëm, të njëjtat janë ndryshuar apo kthyer në burgim me vite nga 22 deri 37 , kurse disa të tjera janë kthyer në rigjykim.
Drejtori ekzekutiv, Ehat Miftaraj, thotë se masat e ashpra ndëshkimore nuk po arrijnë qëllimin në mënyrë që rastet e vrasjeve në familje të parandalohen.
“Janë shtatë raste që kanë të bëjnë me vrasje të rënda, nga këto 4 raste janë gra të vrara. Nga katër rastet, të cilat i kemi monitoruar, vetëm në një rast kemi një aktgjykim të formës së prerë, i cili është konfirmuar nga të gjitha shkallët e gjykatës. Ndërkaq, në një rast, edhe përkundër faktit se Gjykata e Apelit e ka dënuar me gjykim të përjetshëm, Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe pse kohëve fundit me Kodin Penal të Kosovës janë ashpërsuar dënimet për veprat e tilla, ende nevojiten ndryshime ligjore. Përveç kësaj, Berisha thotë se për luftimindhunës në familje, kërkohet edhe një vetëdijesim i qytetarëve, konkretisht i burrave.
“Krahas fuqizimit të ligjeve dhe krahas ashpërsimit të dënimeve, duhet të punohet shumë edhe në vetëdijesimin e burrave, sepse ky keqpërdorim i ‘pushtetit’ lë pasoja në familje dhe shoqëri. Burrat në Kosovë po mendojnë se janë aq të fuqishëm, sa që mundem kur të duan të marrin jetën e një gruaje, vajze apo ndonjë anëtari të familjes së tyre. Burrat nuk duhet të shfrytëzojnë fuqinë si mjet për të poshtëruar, për të vrarë dhe për t’i mbajtur të shtypura gratë në Kosovë”, thotë Berisha.
Për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, institucionet e Kosovës kanë iniciuar procedurat ligjore, të cilat mundësojnë më pas ratifikimin e Konventës së Stambollit.
Kjo Konventë në botë njihet si instrumenti më i mirë ligjor, për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave të saj, kurse ndjekja penale e dhunuesve janë bazamenti i Konventës së Stambollit.
Konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi, kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune./Gazeta Express