Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova.
Turisti ka rrëfyer në një intervistë se i kanë vjedhur 3 aparatë celularë në një shtëpi që e kishte marrë me qira, pasi kishte ardhur për pushime me familjen e tij. Por ai ishte përballur me një sjellje aspak etike dhe fyese nga polici, ku në një çast e kërcënoi edhe me burg.
Pas videos së publikuar në rrjetet sociale, menjëherë policia është vënë në veprim. Gjatë komunikimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar. Për këtë, punonjësi i policisë është pezulluar nga detyra.
https://www.facebook.com/KlanKosovaOfficial1/videos/vb.540888899289642/368491263861626/?type=2&theater
Deklarata e policisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezullon menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me një pushues nga Kosova
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga nje shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policise, sqarojmë opinionin publik se:
Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve. Me marrjen e njoftimit menjëherë Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka marrë kontakt me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qera i kishin marrë 3 aparatë celularë.
Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar proceduren që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët.
Gjatë komunimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar.
Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra, dhe ndaj tij Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor.