Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, është i mendimit se një pakt i dytë ‘Rama-Basha’ do të ishte ‘fundi i botës’. Duke i cilësuar të dy fajtorë, Patozi e argumentoi me faktin se njëri nuk bindi palën kundërshtare për të hyrë në zgjedhje, kurse tjetri e la partinë e tij të papërfaqësuar.
Gjatë intervistës në ‘Top Talk’, Patozi deklaroi se një pakt i tillë i arritur para dy vitesh, e thelloi edhe më shumë krizën politike. Sipas tij, të dy janë po aq përgjegjës për krizën që ka kapluar vendin.
“Unë them që nuk mund të ketë një pakt te ri, sepse ai do të ishte fundi i botës, në rast se do bëhej. Do ishte një lloj dejavu-je e cila mund ti përkeqësojë gjërat. Patëm një pakt para dy vjetësh, dhe kur Edi Rama pyetet thotë se e bëri që ti jepte një zgjidhje vendit dhe të mos e linte vendin në krize. Por çfarë ndodhi? Kriza nuk u zgjidh, por u thellua.
Ndaj them unë që janë të dy përgjegjës, udhëheqësit kryesore. Nëqoftëse do të ishim në një vend normal, të dy mund të kishin dhënë dorëheqjen, njëri se si ndodhi aksidenti, pasi nuk arriti dot ta bindte tjetrin që te hynte dhe të kishte zgjedhje normale, kurse tjetri sepse e la partinë e tij të papërfaqësuar.
Në rast se të dy palët do të thërrasin fitore, ky vend nuk do të ketë qetësi. Por unë këtë prishje qetësie e shoh në rolin opozitar, pasi jam pjesë e opozitës, mua më dhimbset opozita dhe nuk më dhimbset aq shumë pushteti, sepse e di që pushteti në të gjitha rastet është më i relaksuar në rast se kriza zgjatet. Pra ne e kemi nevojë të ngutshme që ta çojmë Edi Ramën sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme”, tha Patozi.
I pyetur nëse do të kemi një vjeshtë politike të nxehtë apo të qetë, Patozi thotë se e gjitha kjo varet nga reflektimi i opozitës. Sipas tij, nëse reflektimi do të mungojë në kampin e djathtë, bateritë e PD do të vijnë në rënie pasi në shtator militantët e PD nuk do të jenë të lumtur për faktin se nuk e kanë më vendin e punës.