Presidenti Ilir Meta, teksa i quajti zgjedhjet vendore të 30 qershorit antikushtetuese, u shpreh se është i gatshëm që të presë në një takim kryeministrin Rama, për të gjetur një zgjidhje për krizën politike.
Ndër të tjera, ai deklaroi se është i gatshëm që të negociojë me Ramën edhe për një tjetër datë zgjedhjesh, por që sipas tij duhet të jetë patjetër përpara 17-18 tetorit, data kur udhëheqësit e BE-së marrin vendimin për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë për t’u integruar në BE.
Meta u shpreh se situata politike po cenon integritetin e vendit, ndërsa theksoi se kriza mund të tejkalohet vetëm duke e çuar vendin në zgjedhje të përgjithshme.
“Kryeministri ndoshta e percepton si datë tersi 13 tetorin. Kjo krizë do në zgjidhje të përgjegjshme, askush nuk duhet të mendojë se do të dalë me kosto zero nga kjo, aq më shumë ata që kanë gatuar këtë rrëmujëhane në Shqipëri. Nuk duhet të humbasin më asnjë sekondë sot e në vazhdim. Po e pres me shumë durim kryeministrin, për t’i dhënë zgjidhje të përgjegjshme, përndryshe kriza e thellë do të përshkallëzohet”, tha Meta.