Emisioni “BOOM” në RTV Ora solli sot shqetësimin e bashkëshortëve Besnik dhe Refije Hyskaj, të cilët banojnë në Greqi prej vitesh.
Ata kanë një banesë në lagjen “Bylis” të Ballshit, në bashkinë Mallakastër dhe erdhën posaçërisht nga shteti grek që emisioni “BOOM” të trajtojë problemin e tyre.
Ata ankohen se gjatë punimeve për rikonstruksionin e rrugës së vjetër të lagjes gjatë dy viteve të fundit, në mungesë të tyre inerte të shumta depërtuan në sipërfaqen e banesës.
Madje, sipas tyre si pasojë u dëmtuan edhe pemë si dhe kanali kullues, në anë të rrugës.
Pikërisht këtu ngrihet edhe problemi. Ata pohojnë se kanë berë ankesa në bashki dhe kjo e fundit nuk ua mori përsipër zgjidhjen, ndaj kanë kërkuar ndihmën e emisionit.
Ata tregojnë se në të tilla kushte, lagështia e krijuar nga ujërat që depërtojnë në banesë pasi u kryen këto punime për rrugën he për pasojë u prish edhe kanali kullues, është e madhe dhe shqetësuese.
“Që kur u bë rruga na është shaktuar ky problem. Sa herë që duhet të vijmë nuk kemi ku të kalojmë. Këto mbetje nuk ekzistonin këtu më parë. Kishim edhe disa shkallë, por sot nuk kemi ku të kalojmë. Dikush nga bashkia erdhi këtu, e pa, tha se kemi të drejtë por nuk mund të ndërhyjmë.”
Nga ana tjetër ata kërkojnë që në pjesën e pasme të banesës të shihet mundësia për tu ndërtuar edhe një rrugë, që sot përdoret nga një fqinj dhe ka nevojë për tu pastruar nga dherat dhe duhet të ligjërohet si rrugë.
Gjatë gjithë viteve, ata nuk kanë patur një rrugë të tyre, pasi kalonin në banesën e babait të zonjës që është ngjitur me ta, por ai e shiti atë dhe kështu kanë ngelur pa rrugë, edhe pse zonja thotë se ka kërkuar ndihmë nga bashkia.
Mundësia e vetme për të hyrë e për të dalë në banesë ka qenë ajo me këmbë nga rruga pjesa e sipërme e lagjes, nëpër terrenin e thepisur të truallit të tyre.
“BOOM” iu drejtua bashkisë së Mallakastrës. Agron Kapllanaj siguroi se shqetësimi do të zgjidhet dhe ata duhet të kishin bërë një ankesë të rregullt.
Sa për rrugën, ai u shpreh se nëse kërkohet një vendim këshilli për ta hapur rrugën, pse jo të mundësohet një rrugë kalimi për familjen Hyskaj.
Kapllanaj: Me problemin që kanë ku shqetësimin e bënë nëpërmjet jush, unë njihem sot . Në bashki nuk kemi asnjë ankesë të tyre. Ishte një problem që mund ta zgjidhnim brenda një kohe të shkurtër. Qytetarët duhet të kishin bërë një ankesë me shkrim. Ne nga ky moment do marrim masa të dërgojmë një grup për ta parë nga afër. Në atë lagje kemi 1 vit që kemi bërë një investim.
Vonë nuk është asnjëherë. Komisioni do të shohë nga afër .Duke bërë verifikimet do të shohim se çfarë alternative do të ketë që ata të ketë një rrugë . Do përpiqemi të gjejmë një rrugë ligjërisht. Do të shprehemi nëpërmjet një procesverbali, nëse duhet një vendim këshilli do ta miratojmë hapjen e rrugës.
Materiali i “BOOM” është regjistruar 5 muaj më parë dhe pavarësisht premtimit dhe dashamirësisë së zotit Kapllanaj, sot që shënon data 3 korrik nuk është bërë asgjë. /oranews