Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka propozuar shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila, pas sulmeve të dhunshme në KZAZ nr 6 në Bushat, ku u dogjën materialet zgjedhore dhe mbetën të plagosur tre efektivë policie.
Teksa e konsideroi “të turpshme” ngjarjen e mbrëmshme, Lleshaj tha se të njëjtin fat do të ketë kushdo tjetër që sulmon KZAZ.
“Sulmi me molotov i mbrëmjes së datës 27.06.2019 kundër një shkolle në Bushat të Vaut të Dejës, e cila shërben edhe si KZAZ nr. 6, befasoi disa që patën njëfarë iluzioni për reflektim të opozitës, pas protestës së vetme paqësore të saj, më datën 21.06.2019. Por nuk ka befasuar shumicën e shqiptarëve dhe aq më pak Qeverinë apo dhe mua personalisht, sepse ‘ndërrimi i qimes nuk ndërron zakonin, i cili del bashkë me shpirtin’, thotë populli.
Zjarri i mbrëmshëm, djegia e materialeve zgjedhore dhe plagosja e tre punonjësve të Policisë së Shtetit, nga një grup sulmi, i përbërë kryesisht nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, është një shprehje shembullore e paramilitarizimit të një partie, që ka humbur jo vetëm arsyen, por tashme edhe pseudo-kauzën e saj.
Aq sa i ulët ishte sulmi ndaj shkollës, ku është vendosur KZAZ, po aq e neveritshme ishte tentativa e drejtuesve të opozitës për të larë duart nga aksioni kriminal i militantëve të tyre, duke u përpjekur si gjithmonë, që nga nxitës të agresionit të kthehen në viktima të tij!
Në mënyrë sa të paturpshme aq edhe qesharake, ata akuzuan policinë se paska sulmuar dhe plagosur veten, nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm dhe të Kryeministrit. Pra, sipas këtyre ‘haxhiqamilistëve’ të rikthyer në skenë pas 100 vitesh, punonjësit e bashkisë së Vaut të Dejës dhe familjarët e kryetarit të saj, paskan zbatuar urdhrat tona për dhunë.
Përpjekja e opozitës për të larë duart përpara qytetarëve shqiptarë dhe përpara partnerëve strategjikë të Shqipërisë, të cilët janë investuar për stabilitetin dhe demokracinë e vendit, tregon qartë se në çfarë gjendje të rënduar mendore dhe në çfarë katandisje të ulët morale janë sot drejtuesit e revolucionit imagjinar për pengmarrjen e zgjedhjeve.
Sjellja kriminale e përfaqësuesve të opozitës në Bushat, të Vaut të Dejës, dogji jo vetëm një pjesë të materialeve zgjedhore, që do të zëvendësohen në kohë, por edhe orvatjen cinike dhe hipokrite të drejtuesve të saj, për të luajtur me standarde të dyfishta në komunikimin publik dhe atë ndërkombëtar.
Sidoqoftë, incidenti i mbrëmshëm nuk mund dhe nuk do të cenojë aspak integritetin e zgjedhjeve.
Zgjedhjet do të mbahen në të gjithë vendin, në pajtim të plotë me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin e vendit, si edhe me mbështetjen e vendosur të partnerëve strategjikë të Shqipërisë.
Për arsye të një serie shkeljesh të rënda të detyrës dhe të ligjit, të cilat kulmuan mbrëmë me sulmin ndaj KZAZ nr. 6, të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, kryetari i saj do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të Ministrit të Brendshëm.
Të njëjtin fat do të ketë cilido, që autoritetin e Kryebashkiakut do ta përdorë për të penguar zgjedhjet, duke i kthyer apo lejuar punonjësit e Bashkisë të sillen si forca të dhunshme paramilitare.
Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë për angazhimin profesional të Policisë së Shtetit, dhe garantoj qytetarët se askush nuk do të lejohet të krijojë pasiguri dhe destabilitet në vend, për qëllime të mbrapshta partiake.
Në të njëjtën kohë, ftoj qytetarët që të distancohen nga thirrjet politike për të marrë pjesë në veprimtari antiligjore, pasi pasojat janë shumë të rënda dhe jo rrallë herë persona të painformuar, apo të vënë nën presion nga kryetarë të caktuar bashkish, kanë rënë viktimë e këtyre angazhimeve.
Së fundmi, u bëj thirrje gjithë drejtuesve të bashkive, që të marrin masa për të ushtruar me përgjegjësi të lartë shtetërore detyrën e tyre, për të garantuar kushtet optimale për qytetarët e tyre, që të mund të ushtrojnë të drejtën për të zgjedhur.
Të mos merren me veprimtari penguese dhe me bravat e dyerve të shkollave të përcaktuara tashmë si Qendra Votimi, sepse kështu bëhen jo vetëm qesharakë, por edhe subjekt i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
30 qershori është data e zgjedhjeve, dhe zgjedhjet janë të popullit shqiptar, as të partive, as të bashkive!”.