Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Vlorë, ku një burrë ka vrarë gruan e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Babicë, ndërsa mësohet se kryefamiljari e ka kryer krimin me levë duke e goditur në kokë dhe fytyrë.
Mësohet se shkak për vrasjen është xhelozia. Autori i krimit të rëndë është Lavdosh Sulo, 56 vjeç ndërsa viktima është Laureta Sulo, 44-vjeçe.
Kjo e fundit është shoqëruar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes pak metra larg banesës.
INFORMACIONI PARAPRAK
Në orën 12:52, në fshatin Babicë e Madhe, Vlorë, pas një konflikti në familje dyshohet se shtetasi L. S., 56 vjeç, ka goditur me mjet të fortë (levë hekuri) bashkëshorten e tij 44 vjeçare L.S.
E dëmtuara u shoqërua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës por për shkak të dëmtimeve të marra në orën 13:30, njofton Spitali se ka ndërruar jetë.
Policia ka shoqëruar menjëherë bashkëshortin, shtetasin L.S., si autorin e dyshuar në lidhje me ngjarjen për të cilin po vijojnë veprimet e mëtejshme në lidhje me arrestimin e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes duke kryer veprimet hetimore në lidhje me sqarimin e rrethanave.