Nga Artan Fuga
U nisa nga Tirana me pak hezitime. Ishte ora gati 23 e 30 e mbrëmjes së të premtes të datës 21 qershor 2019!
Në Tiranë bënte nxehtë sepse në atë qytet nuk ka më rryma ajri që shëtisin nga deti te mali dhe nga grykat e malit drejt detit sepse katallanët prej betoni kanë bllokuar gjithçka dhe na kanë zënë në kurth si minjtë!
Por edhe ora ishte e vonët! Gjithsesi, nga Unaza, nëpër Astir, dola në rrugën që drejtohet pingul mbi det!
Nata ishte e plotë. Sapo dola nga ai qytet, ajri i mbrëmjes hyri nga të katër dritaret e qerres me karburant dhe më dha një ndjesi të mirë.
Mendja fluturonte sa në Hënë, që rrinte përballë si llambadar i gjatë me kokë të varur në një tavolinë studimi, sa te çmimet e karburantit që fanepsin anash rrugëve, 170 lekë litri, 166, 167, 172, duke më kujtuar se ditë apo natë nuk i ikja dot botës së parasë, sa te copëra bisedash të bëra gjatë ditës këtu e atje.
Larg, atje në të kaluar të ndarjes që çon në Rinas, nisa të shoh me mendje rrugën që kisha përpara meje dhe befasia ishte tronditëse.
Përpara meje një lumë dritash të kuqe, stopa të pasmë veturash!
Fillimisht, nuk kuptova se çfarë ishin! Sepse zakonisht në atë orë ka shumë pak vetura në atë rrugë. Por, këtë radhë ishte një lumë i vërtetë. Pak fare vetura që hynin në Tiranë!
Nuk e di sa çaste zgjati vegimi i mahnitshëm. Një zjarr i kuq përpara meje. Si një llavë që dilte nga Tirana, ende e nxehtë, dhe drejtohej për nga deti. E pashuar në det ngrihej lart në lartësitë e buta anash Gërdecit, tutje anash Maminasit dhe dukej se pasi i kishte dhënë ngrohtësi detit, ngjitej lart në qiell dhe prekte brigjet e Perëndimit, tutje, atje në Itali!
Pa fund drita të kuqe, të cilat bashkoheshin në një llavë të vetme, në një masë të zjarrtë që rrokullisej përpara meje, si një qilim drite që të tregon një rrugë mes errësirës anash rrugës ku ndrijnë vetëm çmimet e karburantit! Drita të kuqe që gjarpërojnë përpara teje sikur të ishin kërcimtare që bëjnë vallen e barkut. Këtu të ndara, por atje larg në horizont, lart, mbi det, të bashkuara në një top të zjarrtë që kërkon të arrijë tek yjet!
Përpara meje, përballë, vijnë vetura të rralla në krahun tjetër të rrugës. Si me hezitim kërkojnë të futen në qytet. Qilimi i kuq, lëmshi i zjarrtë, në të kundërt, në atë orë, e braktis qytetin. I kthen kurrizin. Si një energji që pasi e ka përqafuar, pushtuar, rrokur bulevardin, sheshet, qytetin, e ka ngopur shijen e vet dhe ashtu e zjarrtë ikën tutje drejt detit për t’u qetësuar!
Shoh pas në pasqyrë. Më ndjek e njëjta llavë, por kësaj radhe e bardhë. Mijëra fenerë të bardhë veturash japin një masë të argjendtë, që duket sikur zbret nga Dajti. I mbërthyer në mrekullinë e së bardhës që sheh përpara dhe të së kuqes që sheh prapa, që le gjurmë prej llave ngado shkon!
E bardha e mendjes.
E kuqja e emocioneve.
Janë zgjuar dritat, është ngjallur energjia në këtë shoqëri! Shqiptari është zgjuar! Nuk është ai varfanjaku që ne kujtojmë gjithmonë. Këta janë shqiptarë të fuqishëm me mijëra si krahë djemsh të rinj që dalin gufmueshëm nga t-shirtat e bardhë në pasditen tiranase. Kanë autovetura, kanë parà për karburant, kanë rrugë aq sa brenda katër orësh të vijnë nga ana e anës në Tiranë, ta mbështjellin me mençuri të paqtë dhe me pasion dhe t’i thonë: “Ne këtu na ke, do të vijmë përsëri”, dhe pas puthjes së fundit, ashtu si një vezullim bardhekuq, largohen mes natës, me paqe, forcë, vrull të palodhur!
Nuk ka kufi për këta! Kush i ndalon dot! Këta Italinë e kapin duke u ngritur si llavë e kuqe energjie të zjarrtë e duke përdorur si pistë ngritjeje sipërfaqen e detit. Kush trembet prej tyre e ka më për lehtë t’i përzejë dhe jo t’i ndëshkojë me mbajtje mbyllur në kufijtë e shtetit. Mbahet demi në vathë kur sheh toreadorin që e pret atje në arenë!
Shqiptarë të fuqishëm! Me vetura, karburant, rrugë që brenda një pasditeje janë në gjendje të bëjnë histori, të ndryshojnë histori, të imponojnë histori. Ikin paqësisht në shtëpitë e tyre, pasi kanë marrë pjesë në histori sikur do të merrnin pjesë në një koncert, në një ndeshje futbolli, a në një darkë gjigande mes miqsh. Aq e lehtë duket historia përpara kësaj mase gjigande zjarr e kuqe nga pas, verbuese e bardhë përpara.
Këto drita të kuqe që lëvizin frikshëm dhe gëzueshëm përpara meje duken sikur janë qerre qytetarësh grekë të lashtë që vijnë në stadium, marrin vendimet politike dhe largohen në punën e tyre. Duket sikur thonë: “Folëm njëherë! Shumë nuk dimë të llomotisim. Ka diskutime? Nuk ka! Mirë, kujdes që radhën tjetër të mos u kthehemi të njëjtave gjëra. Kemi punë të tjera!”
Se shteti territorialisht është bërë si qytetshtet! I vogël. Nga të katër anët e vendit, brenda pak orësh, mblidhen në bulevard qindra mijë drita te kuqe dhe në darkë janë të kthyer në shtëpi, pranë fëmijëve. Kush guxon të qeverisë më keq në këto kushte!
Bulevardi duket si një platformë reale bashkëqeverisjeje qytetarësh. Jo ajo platforma gënjeshtare virtuale e ankesave në vesh të shurdhër, por e kësaj mase që ankesat i shfaq me veprim direkt!
Se ka nga ata që e quajnë populizëm këtë masë gjigande që vjen, të përqafon fuqishëm, ikën pa u jargavitur dhe kthehet në shtratin e gjumit të ëndrrave brenda pak orësh.
Nga shtrati në bulevard, nga bulevardi në shtrat. Brenda pak orësh! Kush politikan nuk kupton këtë natyrë të veprimit qytetar pa hapësira të ndërmjetme, nga shtrati në bulevard dhe nga bulevardi në shtrat brenda pesë sekondash, është i dështuar.
Dukej sikur flinte, por hezitonte, dukej se ishte gozhduar i shtrirë në shtrat, por ishte dyshues, dukej se pranonte çdo fyerje, por ishte i duruar pa fund, dukej sikur kurrë nuk i interesonte asgjë përtej gardhit të shtëpisë, por në fakt shihte përtej kontinenteve, dukej se ishte i frikësuar për jetë dhe e kishte humbur instinktin e ngritjes së kokës, por në të vërtetë donte të fliste atëherë kur fjala peshon, dukej sikur kishte harxhuar energjinë andej nga Europa në emigrim, por paskësh lënë energji të pashtershme këtu.
Mbillet energji?
Shoh mos gjej makina shtetarësh me drita alarmi në këtë natë. Asnjë! Ambulanca? Asnjë. Dritat e kuqe të shqiptarëve të fuqishëm e mbajnë vetë rregullin. Asnjë aksident. Asnjë sherr. Asnjë nervozizëm.
Ata janë zgjuar. E kanë kuptuar sa të fortë janë. Për dekada nuk do të ketë më frikë sociale në Shqipëri. Është e pamundur që këta shqiptarë të fuqishëm t’i bësh të gjithë punonjës doganash, drejtorësh shkollash, faturues uji, pastrues të shesheve dhe rrugëve të qyteteve për t’i trembur pastaj!
Këta janë shqiptarë të fuqishëm. Përtej partive. Flasin vetëm një herë. Vijnë, thërresin për kujdes dhe largohen. Aty janë. Klasa politike nuk mund t’i mbajë më në gjumë, as online, as pushtetarët, as opozitarët, as opozita e opozitës që endet turpshëm nëpër salla parlamentare pa mision dhe pa turp.
Pa llogaritur ata, tashmë askush nuk mund të flasë në emër të tyre, t’i keqqeverisë, të bëjë politikë në emër të tyre, duke i keqpërdorur, aq më pak të hiqet si Perëndi sipër kokave dhe supeve të tyre!
Kjo energji paqësore që si masë energjie rrëshqet përpara syve, duke bërë dritë mbrëmjen e fillimit të verës, rrëshqet si avion mbi pistën gjigande të detit dhe ngrihet lart drejt qiellit plot yje!