Kreu i PD-së Lulzim Basha është thirrur pak ditë më parë në Prokurori si i pandehur për lobimin e ashtuquajtur rus, mirëpo ai nuk u paraqit me pretendimin se nuk i kanë vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ditën e djeshme vendosi shoqërimin e detyrueshëm të Bashës, ndërkohë sot, lidhur me çështjen në fjalë ka ardhur një reagim nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Përgjatë një konference për media, Bardhi i është përgjigjur interesimit të gazetarëve duke u shprehur se Basha është i gatshëm të shkojë në Prokurori kur organi i akuzës ta thërrasë sipas ligjit: “Do të preferoja që pas përgjimeve që tregojnë inkriminimin e kryeministrit të shtrohej pyetja kur do merret i pandehur Edi Rama? Kjo është pyetje që duhet të bëjë çdo shqiptar. Zoti Basha është i hapur ndaj çdo hetimi të Prokurorisë edhe pse të gjitha faktet provojnë se këtu nuk ka drejtësi të pavarur, ai ka shprehur gatishmërinë të paraqitet sa herë e thërrasin”.
Kujtojmë se ditën e djeshme gazetarja Klodiana Lala raportoi se prokurorët e çështjes kanë firmosur urdhrin i cili është dorëzuar në polici. Pritet që oficerët e Policisë Gjyqësore të realizojnë shoqërimin e detyrueshëm të Bashës më datën 20 qershor në orarin zyrtar, në rast se ai nuk paraqitet në Prokurori më herët.