Partia Socialiste, u krijua në Kongresin e fundit të Partisë së Punës së Shqipërisë në 12 qershor 1991. Në vend kishte 7 muaj që ishte shpallur pluralizmi politik. PPSH i`a kishte dalë të fitonte zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Por mosndërmarrja e asnjë mase për liberalizimin e ekonomisë së centralizuar, që ishte në grahmat e fundit, kishte nxitur kudo protestat dhe greva, diçka me të cilën nuk ishin mësuar për gjysmë shekulli aparatçikët komunistë.
Përballë kaosit që po thellohej çdo ditë dhe mjerimit ekstrem, disa teknicienë me një lloj fryme liberale me në krye ekonomistin Fatos Nano, propozuan një reformim të thellë të PPSH, që duhej të braktiste dogmat e Marksizëm-Leninizmit, t’i përshtatej kushteve të reja dhe të mësonte të sillej si një forcë e të majtë europiane.
Ky proces do të përfundonte me ndryshimin e emrit, nga Partia e Punës në Partia Socialiste. Por zhvillimet e atij Kongresi, nuk do të ishin aq të qeta. Shumica e delegatëve ishin të mllefosur në kulm me gjithçka që kishte ndodhur që nga dhjetori i një viti më parë, dhe protestonin mbi shkeljen flagrante të “mësimeve të shokut Enver”.
Ata ishin mësuar prej dekadash, dhe kërkonin që edhe ai ishte “kongresi i vazhdimësisë”, ku të modifikoheshin disa gjëra, por të mos cenohej figura e ish-diktatorit, dhe e shkuara sipas tyre “e lavdishme e PPSH”. Shkrimtari Dritëro Agolli, me vonë një figurë me ndikimin në PS, edhe pse i`u shmang funksioneve qeveritare, ishte ndër të vetmit, që edhe pse me vonesë, e denoncoi kultin e Enver Hoxhës, duke kërkuar që ai të “arkivohej” në histori.
Qindra delegatë u tërbuan nga inati dhe kërkuan që t’i ndërpritej menjëherë fjala. Në fakt, përveç zgjedhjes në Fatos Nanos në krye të partisë, Partia Socialiste nuk ndryshoi shumë në aspektin ideologjik. Ajo mbeti e lidhur pas kohës së diktaturës, duke mos u distancuar nga krimet e shumta dhe gabimet me pasoja katastrofike në drejtimin e ekonomisë së vendit.
Ndaj PSSH-ja ishte në atë kohë objekt i kritikave të ashpra jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe intelektualë të pavarur. Njëri prej tyre ishte asokohe edhe kreu aktual i PS-së, Edi Rama.
Në librin e tij të vitit 1992 të titulluar “Refleksione”, ai shkoi aq larg sa të propozonte nxjerrjen jashtë ligjit të PS, për shkak se nuk ishte reformuar aspak dhe nuk kishte kërkuar ndjesë për krimet e komunizmit. Ai shkruante ndër të tjera: “Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me popullatën e Shqipërisë dhe në krahasim me vende të tjera ish-komuniste të Evropës, prandaj edhe më e pamundur është harresa te ne….. Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit, është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës, apo të kriminelëve ordinerë, t’ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm, që kanë humbur besimin. Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme” .
Pavarësisht kritikave, PS vazhdoi të mbetet rezistente ndaj ndryshimit. Madje e ashpërsoi me shumë qëndrimin kundër Perëndimit, pas arrestimit të kryetarit të saj Fatos Nano në korrikun e vitit 1993. Akuzat për korrupsion ndaj tij u cilësuan si të montuara, për të fshehur një hakmarrje të drejtpërdrejtë politike të presidentit dhe liderit de facto të PD-së, Sali Berisha.
Komisioni Evropian, OSBE, dhe shumë organizata joqeveritare, reaguan ndaj burgosjes së udhëheqësit të opozitës shqiptare.
Të vetmit që heshtën ishin amerikanët. Në atë kohë raportet e lidershipit të PS me ambasadën amerikanë në Tiranë, ishin shumë të ftohta. Në Tiranë, u përhapën zërat se arrestimi i Nanos kishte pasur bekimin e SHBA-së.
Për gati 3 vite, deri në fillim të vitit 1996, kur Uashingtoni nisi të shqetësohet seriozisht mbi ekonominë piramidale që po ngrinte PD, dhe dozat e forta të autoritarizmit që po shfaqte Berisha, PS vazhdoi të luhatej mes trashëgimisë së saj puniste dhe nevojës ekzistenciale për t’u modernizuar. Madje në vitin 1995, bëri bujë qëndrimi i saj kundër aspiratave të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO.
Manipulimi brutal i zgjedhjeve të vitit 1996, falimentimi i skemave piramidale, dhe trazirat e vitit 1997, sollën në pushtet socialistët, që u bënë për herë të parë partnerë të kancelarive perëndimore. Megjithatë, që në muajt e parë, qeverisja e të majtëve me në krye PS, nisi të karakterizohej nga korrupsioni i shfrenuar dhe nepotizmi.
Sërish, ndër të paktët që e denoncuan në atë kohë këtë dukuri ishte shkrimtari dhe deputeti socialist Dritëro Agolli. Ai tha se ajo për të cilën Fatos Nano mburrej se ishte “meritokraci”, ishte në fakt një “shkërdhatokraci”. Pasi rifituan përmes manipulimeve, zgjedhjet e vitit 2001, socialistët zhvilluan para publikut një larje të madhe hesapesh mes tyre, gjatë punimeve 3-ditore të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues (KPD), të Partisë Socialiste në dhjetorin e atij viti.
Edhe pse artikuluan ndaj njëri-tjetrit dhjetëra akuza për korrupsion, gjithçka u mbyll me një ndryshim në drejtimin e qeverisë, nga Ilir Meta tek Pandeli Majko, dhe më pas sërish tek Fatos Nano. Çuditërisht, prokuroria nuk nisi asnjë hetim penal për ndonjë ministër.
Ashtu si gjatë mandatit të parë, edhe në mandatin e dytë, PS afroi në gjirin e saj figura biznesmenësh, që u bënë deputetë apo edhe ministra.
Ajo nisi t’i largohej gjithmonë e më shumë profilit të saj si një forcë e majtë, që përfaqëson dhe mbron zakonisht shtresat më të varfra. Gjatë 8 viteve të qeverisjes socialiste, 1997-2005, u konsolidua modeli i të ashtuquajturve oligarkë. Kjo e fundit, arroganca gjithnjë e më e padurueshme e Nanos, dhe përçarja e të majtës me krijimin nga Ilir Meta të Lëvizjes Socialiste për Integrim, çuan në humbjen e rëndë të zgjedhjeve të 3 korrikut 2005.
Pas dorëheqjes si kryeministër dhe nga drejtimi i PS, vendin e tij e zuri Edi Rama. Ai u kujdes të bënte një opozitë të fortë ndaj qeverisë Berisha, dhe e riformatoi partinë në funksion të kontrollit sa më të mirë të saj. Ai mënjanoi shumë nga figurat e vjetra, për të cilat nuk kishte pasur ndonjë konsideratë, kur ishte vetë pjesë e kabinetit qeveritar.
Në retorikën e tij si kryeopozitar, denoncoi korrupsionin dhe nepotizmin, taksën e sheshtë dhe oligarkët rrotull pushtetit, që ai i cilësonte zakonisht “klientë të familjes Berisha”. Kur erdhi vetë në pushtet në vitin 2013, anuloi taksën e sheshtë dhe vendosi atë progresive, për të mbrojtur ata me pagat më të ulëta dhe të mesme. Kjo ishte një politikë qartazi e majtë.
Por nuk është cilësuar shumë i majtë formati i PPP-ve, Partneritetit Publik Privat, që sot po përdoret për të kryer shërbime dhe punë, për të cilat shteti nuk i ka momentalisht paratë.
Megjithatë, ekonomistët vlerësojnë se PPP po e ngarkojnë vendin me borxhe të mëdha, nga të cilat do të vuajë ekonomia në një periudhë afatgjatë. Ashtu si në gjithë botën, edhe PS, por edhe PD dhe LSI, nuk i kanë shpëtuar funksionimit si parti elektorale, ku ideologjia është në plan të dytë, dhe parësore mbetet joshja e votuesve./ Tirana Today