Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi ka deklaruar se deri më tani janë mbledhur 51 firma nga deputetët për të iniciuar shkarkimin e presidentit Meta, për shkak të shkeljes së Kushtetutës.
Sa i përket miratimit me 100 vota pro të rezolutës, ku vlerësohet si akt i pavlefshëm caktimi i datës së zgjedhjeve për qeverisjen vendore, Çuçi i ftuar në “Rtv Ora”, tha se 100 votat nuk ishin vetëm nga Partia Socialiste, por dhe nga opozita parlamentare.
“Nuk ishte vetëm PS, sepse ne 100 vota nuk i kemi. Ishte e iniciuar nga ne, por 100 vota tregojnë se ishte edhe një pjesë e opozitës parlamentare. Kjo tregon edhe një herë vullnetin e parlamentit të shprehur shumë qartë nëpërmjet një votimi kundër shkeljes së rëndë të kushtetutës që ka bërë presidenti i Republikës. Besoj se pas këtij votimi deputetë të mazhorancës kanë firmosur për të iniciuar shkarkimin e Presidentit të Republikës, për shkak të shkeljes së Kushtetutës dhe shkeljes së rëndë të ligjit.
Sot u firmos kërkesa nga një numër i caktuar i nevojshëm i deputetëve për ta iniciuar procedurën. Madje deri para një ore ishin mbledhur 51, 52 firma që ishin marrë nga deputetët për të iniciuar procedurën”, deklaroi ministri.