Presidenti Ilir Meta do ta nisë javën me angazhime politike. Nesër në orën 08:00 të mëngjesit, kreu i shtetit ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku pritet të japë arsyet që e çuan drejt marrjes së vendimit për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve. Vendimi në fjalë është përshëndetur nga opozita, ndërsa kryeministri Rama e maxhoranca këmbëngulin se data 30 qershor nuk ndryshon.
Në një takim në kuadër të fushatës, Rama u shpreh se Meta nuk duhet të qëndrojë në atë zyrë, duke përsëritur se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor.
Vendimi i presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet vendore është pasqyruar në median ndërkombëtare. BBC-a citon presidentin Meta teksa thotë se gjendja politike e krijuar në vend nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve të drejta më 30 qershor, dhe gjithashtu nënvizon se vendimi i presidentit erdhi pas protestave kundër kryeministrit Rama.
BBC thekson gjithashtu këmbënguljen e kryeministrit Rama, për t’i mbajtur zgjedhjet sipas planifikimit.
Agjencia “Associated Press” shkruan se vendimin, Presidenti e motivon me nevojën për të ulur tensionet politike në vend. Presidenti Ilir Meta veproi sepse “rrethanat e tanishme nuk sigurojnë kushtet e nevojshme për zgjedhje të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse” më 30 qershor.
Vendimi i Presidentit Meta ka pasur jehonë edhe në media të tjera të mëdha, si “Washington Post”, “New York Post”, “France 24”.