Juristi Sokol Hazizaj, në një intervistë telefonike për RTV Ora, komentoi vendimin e presidentit Ilir Meta i cili shfuqizoi dekretin për datën e zgjedhjeve. Ai tha se dekreti i presidentit Meta ka ardhur për dy shkaqe. Sipas tij, presidenti nuk mund të bëjë veprime të pamatura. Në këto kushte ai ka rakorduar me liderët e partive politike për të shtyrë zgjedhjet, dhe për të caktuar një datë të re zgjedhjesh brenda kuotimit ligjor dhe kushtetues për dekretimin e një date të re zgjedhjesh. Ai është i mendimit se zgjedhjet do të shtyhen në një fazë të dytë që parashikon ligji zgjedhor, shtator apo nëntor të këtij viti.
Ju mendoni se ka një marrëveshje pas vendimit të presidentit?
Dekreti i presidentit ka ardhur për dy mundësi. Mundësinë e mbarimit të mandatit të pushtetit vendor. E dyta, mundësia e marrëveshjes politike midis subjekteve të cilat janë parlamentare dhe të përfaqësuara nga pushteti vendor, dhe që është realizuar para 9 muajsh. Jemi në të njëjtën gjendje juridike. Padyshim diku e kanë prodhuar marrëveshjen, janë përqasur dhe i kanë kërkuar që kjo datë zgjedhjesh të ndryshojë. Dmth, nuk mendoj, që akti, nëse do ishte jashtë kësaj marrëveshje, akti do të ishte jo kushtetues.
Do të thotë që presidenti në momentin që ka prodhuar një akt që mohon të drejtën e zgjedhësve për të vajtur më 30 qershor, do të thotë që ka artikuluar me subjektet politike këtë lloj mohimi, dhe bashkë me aktin do të nxjerrë dhe shpjegimin. Pse e ka prodhuar këtë akt? Ndaj them që presidenti nuk mund të bëjë veprime të pamatura. Në këto kushte ai ka rakorduar me liderët e partive politike, për të shtyrë zgjedhjet dhe për të caktuar një datë të re zgjedhjesh brenda kuotimit ligjor dhe kushtetues për dekretimin e një date të re zgjedhjesh.
Sa kohë mund të shtyhen zgjedhjet vendore duke nisur nga ky moment?
Kushtetuta ka dy gjendje juridike mbi të cilat ndryshon. Data e zgjedhjeve janë gjendje juridike e jashtëzakonshme, dhe gjendje juridike që vihet për shkak të marrëveshjes politike. Nëse jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, prandaj duhet të presim interpretimin e aktit që do të prodhojë presidenti atëherë brenda 45 ditësh. Në këtë lloj normaliteti që jeton Shqipëria, nuk jemi në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme, por në kushtin kur marrëveshjet politike kanë dakordësuar dhe imponuar – duhet pranuar – presidentin e Republikës, të jesh e bindur për këtë, që të ndryshojë situatën juridike dhe kushtetuese. Mendoj se zgjedhjet do të shtyhen në një fazë të dytë që parashikon ligji zgjedhor, mendoj shtator, nëntor të këtij viti”.