Ditën e sotme, opozita jo parlamentare ka paralajmëruar se do të zhvillojë protestën e shtatë kombëtare.
Mësohet se 1700 efektivë policie do të jenë në gatishmëri në protestën e opozitës së bashkuar, e cila pritet të fillojë në orën 19:00.
Partia Demokratike ka kërkuar një marshim proteste nga ora 19:00 deri në mesnatë, mirëpo policia i ka kthyer shkresë se e lejon të protestojë vetëm para godinës së Kryeministrisë, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në orën 21:00.
Ndërkohë, vetëm pak orë para protestës, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka një mesazh për shqiptarët.
Përmes një postimi në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, teksa shton se e “keqja po shembet”.
Postimi i plotë:
Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës!
Sot është dita e qytetarëve.
Prandaj të gjithë bashkë,
pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar,
burra apo gra,
nga fshati apo nga qyteti,
nga Jugu a nga Veriu,
me apo pa parti,
të majtë apo të djathtë,
të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!
Shqipëria pa varfëri dhe me punë të ndershme, pa korrupsion e në luftë me krimin e organizuar, pa drogë e oligarkë, por me njerëz që e duan familjen dhe atdheun e konsiderojnë shtëpinë e tyre, është më e rëndësishme, më e madhe dhe më e fortë se Edi Rama dhe klani i tij kriminal!
Sot më shumë, sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!