Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Thaçi i është kundërpërgjigjur, duke deklaruar se Berisha ka nevojë për trajtim mjekësor, se sa të merret seriozisht në kuptimin e një debati politik.
“Ndjej keqardhje kur e shoh në këtë gjendje të arrogancës dhe humbjes së kontrollit si gërmadhë apo si fosil. Mendoj se ka nevojë për një trajtim mjekësor se sa të merret seriozisht në kuptimin e një debati politik. Është humbje e madhe e kohës për të diskutuar për të, por vendimin më të madh e kanë marrë vetë qytetarët në Shqipëri, por ndoshta mendon me qëndruar në skenë duke u marrë me mua dhe ka nxjerrë mllefin që ka pasur 3 dekada. Ai dëshiron që të qëndrojë në këtë debat për shkak të fushatës që ka në Shqipëri dhe nuk do dëshiroj që të interferoj në këtë proces. Është punë e tyre. Urrejtje ndaj Ramës mund ta shprehë atje, por jo ndaj meje në Kosovë. Argati i Millosheviçit thotë që jam arrestuar për çështje ordinere”, tha presidenti i Kosovës.
Thaçi ka folur dhe për vrasjen e gazetarit Ali Uka në vitin 1997, për të cilin tha se është arrestuar 10 orë para se të vritej.
“Unë jam arrestuar, kjo është e vërtetë, për armëmbajtje dhe për disa krehra kallashnikovësh për t’i sjellë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam arrestuar 10 orë para se të vritej Ali Uka. Jam arrestuar tek ura e Elbasanit, në mënyrë brutale, nga autoritetet e Sali Ramë Berishës”, u shpreh Thaçi.