Ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës ditën e sotme autori i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, në 30 janar të këtij viti.
Ai eshte Gjergj Cukali, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit” dhe mik me Emiljano Shullazin. Cukali është një nga personazhet më të njohur për Policinë e kryeqytetit.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e pengmarrjes ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004.
Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.
Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilat u akuzua Gjergji Cukali. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro.
Arben Bilali u qëllua me tre plumba në zonën e Selitës në kryeqytet. Atij i kishin vrarë më herët edhe dy vëllezërit e tij, vrasje të cilat dyshohet se e kanë zanafillën në një konflikt të vjetër me familjen Xhabafti në Tiranë, konflikt i cili ka shkaktuar disa viktima.
Bilali ka qenë punonjës policie te komisariatin nr.2 në kryeqytet dhe pjesëtar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), detyrë nga e cila është larguar disa vite më parë.