Stadiumi i radhës i futbollit në Shqipëri pritet të ndërtohet në Fier.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, teksa priti në një takim presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si dhe presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima.
Subashi thekson se shumë shpejt do të fillojë projektimi i stadiumit dhe se FSHF do të financojë 35% të projektit.
“Me presidentin e FSHF-së biseduam dhe u dakordësuam për fillimin e punës nga projektimi, pastaj financimi e ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit. Falënderim për presidentin Duka, që në emër të federatës mori përsipër 35% të financimit”, tha Subashi.
Stadiumi i ri ka qenë një nga premtimet elektorale të kryeministrit Rama, i cili gjatë një takimi me fierakët në kuadër të turit “Bashkia që duam”, u shpreh se stadiumi aktual i qytetit është i vjetruar, për këtë arsye, sipas tij, do të ndërtohet një stadium i ri, me të cilin do të identifikohet qyteti i Fierit.