Media perëndimore, e përsërisnin shpesh edhe para viteve 1990:po të mos ishte për spiunin britanik të KGB-së, Kim Filbi, komunizmi në Shqipëri do të ishte rrëzuar, dhe vendi do të ishte pjesë e NATO dhe BE-së. Gazeta gjermane “Die Zeit”, shkruan kështu në një artikull të sajin në vitin 1969:
Kim Filbi, ishte spiuni më profesionist i Anglisë. Ai ishte më i miri në një kuptim tragjik për anglezët. Si një nëpunës lider në shërbimin e fshehtë britanik, ai ishte në fakt një agjent i sovjetikëve; dhe ky njeri i Kremlinit ishte caktuar kokë e këmbë të drejtonte, pra, edhe seksionin e mbrojtjes kundër spiunazhit.
Pra, kjo ndodhi kështu:Aty ishte Kim Filbi, dhe ai sillej aq idiotësisht saqë biondja Patrisia, sekretarja e oficerit ndërlidhës të mbrojtjes britanike në Stamboll, tashmë kishte arritur ta pikaste dhe e dinte se ai ishte një tradhtar!
Aty gjendeshin shpesh edhe “burra me mustaqe” nga vendi i “skipetarëve”, dhe nëse ata nuk do të ishin dorëzuar nga Filbi para togave të mitralozave, për t’u korrur një nga një si gruri para draprit, atëherë edhe me siguri Shqipëria do të ishte sot një partnere e NATO-s”.
Filbi, ishte ndër ata që rinj universitarë britanikë të shtresës së lartë, që u infektuan nga idetë utopike të komunizmit. Derisa u demaskua, ai sabotoi shumë operacione anti-komuniste, mes tyre edhe ato për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.
Në vitin 1949, ai informoi KGB për operacionin “Valuable”, që parashikonte zbarkimin në Shqipëri nga ajri të qindra shqiptarëve anti-komunistë, që jetonin në emigracion. Ata do të vrisnin Enver Hoxhën, dhe do të organizonin një lëvizje të armatosur për shembjen e diktaturës. KGB vuri në dijeni autoritetet shqiptare dhe vetë Stalinin.
“Për realizimin e planit, në ishujt e Maltës dhe Korfuzit u organizuan baza për përgatitjen e këtyre grupeve. Natën e 18 shtatorit të këtij viti, dy grupet e para, të përbëra nga pesë veta secili, u hodhën në territorin e Shqipërisë. Hedhja e dy grupeve të tjera, është caktuar natën e 24 shtatorit. Po përgatiten edhe disa grupe, të cilët ka gjasa, të transportohen në Shqipëri gjatë këtij viti.
Të dhënat për hedhjen e grupeve diversioniste-kryengritëse natën e 24 shtatorit, iu transmetuan nga ne nëpërmjet këshilltarit tonë të fshehtë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, shokut Mehmet Shehu, për marrjen e masave përkatëse”,- thuhej në dokumentin sekret të KGB-së drejtuar shefit të Kremlinit.
Ky i fundit, pasi e lexoi, shkroi me dorë: “Desantët të asgjësohen para se të zbarkojnë në tokë!”. Dhe në fakt kështu ndodhi. Në vitet 1949-1953, humbën jetën në këto përpjekje të dështuara mbi 300 shqiptarë anti-komunistë. Gazetari i mirënjohur australian-anglez Filip Najtli ka qenë i vetmi gazetar perëndimor, që ka mundur të intervistojë spiunin e famshëm të KGB-së, në Moskë, në vitin 1988, pak kohë para se të vdiste.
Kur u ndal tek veprimtaria e tij në raport me Shqipërinë, Filbi tha se nuk ndjente keqardhje për atë që bëri:”Unë luajta rol përcaktues në minimin e planit të hartuar nga Perëndimi për organizimin e një masakre të përgjakshme në Shqipëri.
Por, ata që e menduan dhe e planifikuan këtë operacion, kërkonin gjakderdhje për qëllime politike. Agjentët, që ata dërguan në Shqipëri, ishin të armatosur dhe të vendosur për të kryer akte sabotimi dhe vrasje. Prandaj, nuk ndjej keqardhje, që ndihmova në asgjësimin e tyre. Ata e dinin se ku po shkonin. Mos harroni se unë kohë më pare, u implikova gjithashtu në likuidimin e një numri të konsiderueshëm hitlerianësh, duke dhënë kështu kontributin tim modest në fitoren mbi fashizmin”.
Në fakt, autoritetet shqiptare komuniste të kohës, por edhe ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit pas viteve 1990, e kanë mohuar rolin e Filbit në sabotimin e operacioneve anglo-amerikane. Por faktet për rolin e Filbit janë të shumta dhe kokëforta, dhe qasja e komunistëve shpjegohet me faktin që sukseset e kundërzbulimit shqiptar, përdoreshin masivisht nga propaganda zyrtare, për t’u thënë shqiptarëve në Shqipëri, se asnjë sulm nga imperialistët amerikanë për rrëzimin e pushtetit të tyre, nuk do të kishte sukses.
Më 1 korrik të vitit 1963, qeveria britanike e pranoi se ish-agjenti i saj, Harold Adrian Russell, i njohur ndryshe si “Kim” Filbi, kishte vepruar si agjent sovjetik. Filbi u arratis në Bashkimin Sovjetik nga Libani. Por Filbi u mënjanua nga KGB-ja sovjetike, e cila kishte frikë se ai mund të ishte një agjent i dyfishtë i Perëndimit. I vetmuar, Filbi gjeti shishen si ngushëllim, duke u dhënë pas pijes.
Por në aspekte të tjera, ai u trajtua mjaft mirë, thonë biografët, madje më mirë sesa qeveria sovjetike trajtonte popullin e vet. Atij iu dha një makinë, një vilë e mobiluar, furnizohej rregullisht me ushqime të përzgjedhura, edhe nga jashtë shtetit, me të gjitha ato që nuk i kishin munguar në Londër.
Filbi u martua me gruan e tij të katërt, Rufina Pukhova. Ajo shkruan në kujtimet e saj se Filbi mbeti i zhgënjyer, dhe i tronditur kur pa njerëz të varfër të rreckosur sovjetikë, dhe kuptoi se “ndërtimi i komunizmit” në fakt nuk kishte ndodhur. Madje në një rast ai tentoi edhe vetëvrasjen, por nuk kërkoi kurrë të kthehej në Angli. Ai ndërroi jetë më 11 maj 1988 në Moskë, në moshën 76-vjeçare./ Tirana Today