Emisioni “BOOM” udhëtoi në fshatin Jagodinë të Elbasanit, për të trajtuar shqetësimin e shtetasit Bardhyl Eshja. Ai ka firmosur një kontratë me ish me ish-komunën Jagodinë për dhënien me qira mujore 15 mijë lekë të vjetra në muaj të një trualli në pronësi të tij, për ndërtimin e ambulancës së fshatit.
Pak kohë më pas ka ndryshuar varësia, pra qendrat shëndetësore nuk vareshin më nga komunat, por nga institucionet shëndetësore. Që atëherë kanë kaluar 14 vjet dhe zotëria nuk merr asnjë të ardhur nga dhënia e kësaj toke me qira. Kjo ambulancë është brenda rrethimit të shtëpisë së tij.
Ai e furnizon me ujë nga pusi i tij dhe gjithashtu natën tregon se bën edhe roje se mos e vjedhin. Ai kërkon që kontrata për dhënien e qirasë të respektohet ose në të kundërt t`i lirojnë truallin.
Bardhyl Eshja: Në vitin 2005 erdhi një fond nga World Vision. Në bashkëpunim me kryetarin e komunës i cili më tha: O Bardhyl duam një vend që mos të na iki fondi se është falas. I thashë bëje këtu por unë dua një farë përcaktimi që jam unë këtu, se e kam tokë me 7501, tokë të fituar. Po tha, do marrësh qira muaj për muaj , 15 mijë lekë në muaj, 500 lekë në ditë. Për 6 muaj mora nga 15 mijë lekë të vjetra. Pas 6 muajve, financa u nda. Komuna më vete, shëndetësia më vete. Më thirri drejtori i komunës për shëndetësinë, më tha do lidhim kontratë bashkë dhe më pagoi 150 mijë lekë në 2007.
Pas 2 muajve më thirri dhe më tha do kthesh lekët, është gabim, mua ma kapën shkelje. Ja ktheva lekët. Deri tani vonë unë kam gjesdis te shërbimi parësor … ai më tha ti ke drejtë po këtë punë duhet ta shkoqisi shëndeti publik. Vajta atje ai më tha do marrë vesh nga shërbimi parësor. Si përfundim më tha qendra shëndetësore ka fondin e vet, që e ndan për mirëmbajtje, për lyerje….
Vajta i thashë asaj, ajo më tha të më bien urdhër mua ata. Unë kam 14 vjet iki zyrë më zyrë. E kam rrethuar e kam brenda shtëpisë ambulancën. E duan ujin vazhdimisht, unë nuk ja u kam mbajtur se qendra shëndetësore do pastërti. Natën dal se nesër pasnesër digjet brenda, shkoj unë i pari në polici se thonë e ke brenda kopshtit. Unë kërkoj vetëm të respektohet kontrata, qiraja, nëse nuk duan ta paguajnë merre objektin, ik.
BOOM ju drejtua fillimisht drejtoreshës së qendrës shëndetësore Shirgjan që ka në varësi dhe ambulancën në fshatin Jagodinë. Ajo u shpreh se problemi ka ngelur pa zgjidhje për shkak se atyre ju lejohet qira ambienti po jo toke.
Në këtë rast sipas saj ambientin e ka ndërtuar oragnizata World Vision. Ajo është dakord që kjo qira të jepet por kërkon miratimin nga autoritete më të larta.
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Shirgjan: Në kohën që zotëria e ka dhënë tokën për të ndërtuar ambulancën, qendrat shëndetësore kanë qenë në varësi të komunave. Në atë kohë e ka marrë pagesën nga komuna. Ndërkohë kur kemi kaluar me vetëfinancim ne në kontratë nuk na lejohet të japim qira toke, na lejohet vetëm qira ambienti. Ndërkohë ambientin e ka bërë World Vision. Kështu që ne nuk kemi të drejtë të japim qira toke.
Gazetarja: Ajo godinë funksionon për çdo ditë dhe për sa kohë funksionon dhe i zë një hapësirë zotërisë, duhet të ketë një zgjidhje kam përshtypjen.Unë në kontratën që kam lidh me fondin thotë nuk lejohet qira toke, thjesht qira ambienti.
Gazetarja: Kjo mos është pak çështje interpretimi, qira ambienti, me qira toke?
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Shirgjan: Po, pra. Tani këtë problem mund ta zgjidhni tek drejtoritë e mëdhaja tek fondi, te DSHP-ja.
Gazetarja: Sepse zotëria thotë që në kontaktet që ka marrë me DSHP, DSHP-ja i thotë që ne dërgojmë një fond, pra për qendrën shëndetësore dhe në këtë fond duhet të jetë i parashikuar edhe ky zë.
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Shirgjan: Po pra është parashikuar, qira ambienti, jo toke. Unë e kam diskutuar disa herë me fondin sepse ne mund ta paguanim me të ardhurat dytësore dhe e paguaja, por në fond na është thënë ju nuk keni të drejtë qira toke. Ai ka të drejtë dhe unë nuk e mohoj të drejtën, dhe unë për këtë vitin e parë kur kam hyrë drejtoreshë, kam shkuar nëpër drejtori bashkë me zotërinë vetë, sepse unë kam dhe një ambient tjetër ashtu, por aty në ambjentin tjetër, në fshatin Bardhas, punon e zonja e tokës, është vetë infermiere dhe ajo nuk është ndjerë.Unë dhe drejtorit të DSHP-së , më kërkoi kërkesën, ja kam çuar.Unë nuk jam kundra, nëqoftëse mua më japin ok për t`i dhënë qira, jam ok.
Gazetarja: Keni kërkuar, ja keni adresuar institucioneve që janë më lart jush?
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Shirgjan: Ka qenë zotëria edhe tek drejtoria e fondit dhe te drejtoria e shëndetit publik, dhe ka ngelur në heshtje.
BOOM për këtë problem ju drejtua dhe Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Elbasan. Drejtori nuk ishte aty, po u premtua se do të kthehej një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë problem.
Përgjigja që mbërriti në BOOM duket se ja lë përgjegjësinë për zgjidhjen e këtij problemi Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor Elbasan dhe Qendrës Shëndetësore Shirgjan.
Mes të tjerash duket se pasi BOOM shkoi për të adresuar në institucione këtë problem, është hedhur një hap konkret, pra është dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë një kërkesë për miratimin e dhënies së qirasë për këtë objekt nga ana e Qendrës Shëndetësore Shirgjan, gjë që nuk ishte bërë në këto 14 vjet.
Përgjigja zyrtare e Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Elbasan
“Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë Elbasan nuk është palë e kontratës me nr.2 datë 05.01.2005 e lidhur midis komunës Shirgjan dhe z.Bardhyl Eshja me objekt marrje me qira të truallit ku është ndërtuar ambulanca e fshatit Jagodinë. Për rrjedhojë nuk është përgjegjëse për moszbatimin e saj. Me zgjidhjen e këtij problemi po merret Drejtoria Rajonale e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor Elbasan dhe qendra shëndetësore Shirgjan, ku kjo e fundit i ka dërguar shkresë ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratimin e dhënies së qirasë”.
As Drejtori te Drejtoria Rajonale e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Elbasan, nuk ishte atë ditë në zyrë.
Gjithësesi denoncuesi e telefonoi dhe Drejtori i tha, nuk e kam unë, por DSHP, ose institucioni që tha pak më lart e ka fondi zgjidhjen.
Pra, institucionet ja lanë njëra-tjetrës, siç kanë bërë këto 14 vjet.
Pas bisedës telefonike, zoti Eshja ka shkuar e ka marrë edhe zyrtarisht me letër këtë përgjigje.
Denoncuesi: Ne vajtëm te DSHP-ja, ata thanë që e ka drejtoria juaj.
Drejtori i FSDKSH Elbasan: Po jo mo, hajde ta jap unë letrën zyrtare, se unë e kam çuar njëherë zyrtarisht.Ti ke një defekt, ke truallin, por nuk ke pronësinë e objektit. Ky është problem që duhet ta zgjidhim jo ne, po DSHP-ja nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë. Unë jam një palë e cila kur më vjen miratimi, xhiroj lekët, kaq.
Denoncuesi: Kush e bie miratimin?
Drejtori i FSDKSH Elbasan: Ministria e Shëndetësisë me propozim të DSHP-së.
Denoncuesi: Po kontratën e kam unë të përhershme, unë ta kam dërguar ty.
Drejtori i FSDKSH Elbasan: Po e di mo e di, po s`ka lidhje me ne kjo. Duhet të sqarohesh ndërmjet njësisë administrative, DSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërmarrja ime nuk është për këtë punë. Miratohet dhënia e qirasë së objektit nga Ministria e Shëndetësisë, ja çon drejtorisë time të përgjithshme, ata ma bien mua dhe unë ja çoj qendrës shëndetësore për likujdimet. DSHP-ja i propozon Ministrisë së Shëndetësisë për dhënie qiraje, nuk propozoi unë.
Drejtoria Rajonale e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Elbasan në kthimin zyrtar të përgjigjes për z.Eshja një ditë pasi BOOM ishte atje sqaron edhe njëherë.
“Mbështetur në dokumentacionin e dërguar pranë DRFSDKSH Elbasan më datë 24.05.2019 nga z,Bardhyl Eshja : Ju vëmë në dijeni se në zbatim të vendimit 857 datë 20.12.2006 dhe vendimit 737 datë 05.11.2014 “Për financimin e shërbimeve shëndetësore publike të kujdesit shëndetësor parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor , pika 9 e ligjit nr. 10383 datë 24 .02.2011 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë:
Ju duhet t`i drejtoheni për zgjidhjen e këtij problemi DSHP-së Elbasan, pasi qendra shëndetësore vetëm me miratimin e Ministrisë së Shëndetësisë mund të marrë ambiente me qira. Për këtë problem si dhe për vazhdimin e procedurave të mëtejshme kemi njoftuar në mënyrë shkresore edhe qendrën shëndetësore Shirgjan”.
BOOM do të jetë në ndjekje të këtij rasti pasi është abuzim fakti që shteti shfrytëzon pronën private për shërbimet e tij pa paguar asnjë detyrim./Ora News