Ka përfunduar takimi kokë më kokë mes Bashës dhe Kryemadhit në selinë e LSI-së. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha njoftoi në një deklaratë për mediat se mosbindja civile tashmë do të intensifikohet, teksa opozita do të ndërmarrë nesër në orën 18:00 aksionin për bllokimin e akseve kryesore në 12 qarqe të vendit.
Më tej, Basha bëri të ditur se nesër në orën 11:00 opozita do të shpalosë detyrat e qeverisë tranzitore.
I pyetur nëse është i gatshëm të ulet në një tryezë me Ramën, Basha tha se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se kushti i panegociueshëm është për dialog politik, është largimi i kryeministrit Rama.
Fjala e Bashës:
Po konkordojmë hapat që opozita do hedhë në përshkallëzimin e aksioni opozitar. Jemi në krizë të thellë kushtetuese, ekonomike, politike e sociale, siç u bë e qartë edhe në një krizë totale të integrimit të vendit në BE. Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar kushtetutën, zgjedhjet, themelin e llogaridhënies para qytetarëve që është vota e lirë.
Do vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim të mosbindjes civile, paradite në 11:00 do shpalosim detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Po punojmë për ofertën tonë për shqiptarët, jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza, por për t’u dhënë atyre mundësinë e garancinë për një jetë dinjitoze me mundësi për mirëqenie të gjithë.
A do ulet në tryezë me Ramën si kryetar i PS?
Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politik. Largimi i Ramës është kusht i panegocuaeshëm për t’i hapur rrugën dialogut politik që do çojë drejt krijimit të qeverisë tranzitore, detyrat e të cilës do i shpalosim nesër publikisht./ Tirana Today