Ardjan Takaj është nisur që mbrëmë drejt Zvicrës dhe destinacioni do të jetë Lozana, atje ku më 16 prill, të martën, do të mbahet seanca dëgjimore në KAS për gjyqin mes Skënderbeut dhe UEFA-s.
“Panorama Sport” mëson se trajnerët që ishin zgjedhur për ekspertizën e ndeshjeve dhe golave, për të cilët dyshohen korçarët që kanë trukuar, janë tërhequr. Ata nuk duan të dëshmojnë. Por jo vetëm kaq, pasi edhe shefi i Sektorit të Integritetit dhe Çështjeve Disiplinore të UEFA-s, Emilio Garsia, nuk është më në UEFA, por ka kaluar FIFA.
Duhet të saktësojmë se në këtë proces gjyqësor nuk diskutohet më nëse Skënderbeu ka trukuar apo jo ndeshje, por diskutohet a janë respektuar të gjitha procedurat e një procesi gjyqësor. Mësohet se avokatët e Skënderbeut do të mbështeten mbi dy pika: së pari, meqë Skënderbeu është shpallur fajtor, kush e ka kryer krimin? E dyta: kush i ka përfituar të ardhurat nga bastet? Deri tani kjo nuk është saktësuar nga trupi gjykues i UEFA-s.
Do të jetë shumë e vështirë, por nëse Skënderbeu ia del të rrëzojë UEFA-n, do të kërkojë dëmshpërblim të majmë, sepse i është mohuar e drejta për të marrë pjesë në Champions dhe e dyta sepse është përdorur si shembull në shumë seminare kundër trukimeve, ndërkohë që ka qenë në proces gjyqësor me UEFA-n. Shanset janë të pakta, por shpresat mbeten.