Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka folur nga Rinasi, duke sqaruar vendimin për vendosjen e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura.
Xhaçka tha se është detyrë kushtetuese marrja e masave të sigurisë nga FA, ndërsa shtoi se nuk ka dislokim pasi nuk bëhet fjalë për siguri brenda, por për patrullim në perimetrin e sigurisë së aeroportit.
Ministrja ironizoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike, duke thënë se “nuk i mësojmë dot Bashës së si të lexojë Kushtetutën”.
Referuar kërkesës së presidentit Meta për ndaj Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për vendimin e vendosjes së Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave të Armatosura në aeroportin kombëtar, Xhaçka tha se “do sqarohet secili aktor që nuk njeh ligjin” dhe se nuk kishte përse të njoftohej presidenti pasi nuk “po shkojnë në luftë”.
Fjala e Xhaçkës:
Është një ngjarje e përsëritur, deri në marrjen e sigurisë do të jemi këtu, edhe sepse kemi një detyrim ligjor që na detyron të garantojmë sigurinë.
Bashës nuk i mësojmë dot se si të lexojë kushtetutën, nëse do të dinte të lexonte nuk do të kishte djegur mandatet dhe detyrën e tij Kushtetuese.
Ka një ligj për marrjen e këtyre masave dhe nuk po bëjmë as më shumë e as më pak. Ky vendim duhej të përshëndetej sepse ofron siguri, është porta hyrëse dhe dalëse me botën. Deri në vendosjen e masave të sigurisë, do përforcohen edhe nëpërmjet nesh. Nuk ka dislokim, ka vetëm siguri për aeroportin.
Nuk bëhet fjalë për siguri brenda, nuk është detyra jonë, do patrullojmë perimetrin e sigurisë së aeroportit. Nuk bëhet fjalë për të hyrë brenda, mos harroni që është një praktikë që është ndjekur në shumë vende të tjera dhe ngjarje si këto të mëdha apo edhe më të mëdha i kemi parë edhe në vende të tjera, por që na detyron të marrim përgjegjësitë për të garantuar sigurinë e qytetarëve në radhë të parë.
Jemi të detyruar të garantojmë perimetrin e sigurisë së aeroportit, s’është nevoja as të evokohet Kushtetuta, do u japim përgjigje të gjithë aktorëve që mesa duket nuk e njohin ligjin dhe detyrat e Forcave të Armatosura. Nuk ka pse njoftohet presidenti, nuk jemi duke shkuar në luftë!/ Tirana Today