Nga Alket Goce
Grabitja e ndodhur pasditen e të martës në aeroportin e Rinasit, ishte kronikë e një ngjarje të paralajmëruar. Një shumë e madhe parash (dyshohet për 10 milionë euro, por kjo mbetet të konfirmohet), u grabit në mes të ditës një nga vendet, që supozohet te jenë ndër më të sigurtit në vend, aeroportin e vetëm civil ndërkombëtar të Rinasit.
Duke nisur nga shkurti i vitit 2015 dhe deri në vitin 2017, në 4 grabitje të bujshme, u grabitën mbi 9.5 milionë euro. Më 13 Shkurt 2015, një filial banke në ish-Stacionin e Trenit u grabit nga disa persona të armatosur, të cilët u afruan në ambientet e saj të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, i detyruan punonjësit t’u japin dy thasë me para nga mjeti i blinduar, i cili në ato momente po bënte transportin e tyre. Shuma e grabitur ishte 2.5 milionë euro.
Grabitja ndodhi në parkingun e godinës, ku gjendeshin zyrat e bankës. Përpara se të largoheshin, autorët qëlluan në ajër. Për atë rast, policia arrestoi 7 punonjës civilë të kompanisë private të ruajtjes fizike dhe një prej drejtorëve të Departamentit të Sigurisë së Bankës.
Dy muaj më vonë, më 27 prill 2015, një automjet i një kompanie të sigurisë fizike, që po transportonte paratë e disa bizneseve private të një qendre tregtare, u grabit në rrugën dytësore, përgjatë autostradës Tiranë – Durrës. Tre persona të maskuar dolën nga një Mercedes 240, dhe nën kërcënimin armës morën paratë, që arrinin në shumën e 2 milionë lekëve.
Dy policët privatë, mbetën të bllokuar në automjet për më shumë se 50 minuta, duke mos kryer asnjë lëvizje, pasi dyert e makinës u bllokuan nga përplasja. Në 2 dhjetor të po atij viti, u grabitën 3 milionë euro nga një bankë e nivelit të dytë. Autorët i bënë pritë policisë private, dhe zbrazën blindat me para afër aeroportit të Rinasit.
Grabitjet e këtij lloji, rikthehen më 30 qershor 2016, kur sërish brenda pistës së aeroportit “Nënë Tereza”, u grabitën 990 mijë euro. Autorët çanë rrethimin e aeroportit dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe. Ndërkohë më 9 shkurt 2017 u grabitën rreth 2.9 milionë euro të paketuara në 8 thasë, kur paratë po transportoheshin gjatë rrugës për në Rinas, pranë fshatit Domje.
Për 3 vjedhjet më të mëdha, policia arriti që të identifikojë dhe arrestojë pas një hetimi disamujor një bandë me në krye shtetasin Admir Murataj, si dhe disa ish-komando të ushtrisë dhe ish-policë, të praktikuar me armët dhe stërvitur mirë për sulme të befasishme. Në çdo rast policia, ka arritur të rikuperojë vetëm një pjesë të parave të grabitura.
Që pas grabitjes së madhe të shkurtit 2015, ekspertët e sigurisë ngritën alarmin mbi një skemë të mirë-organizuar për kryerjen e goditjeve të tilla. Sipas tyre, nëse nuk ka një rrjedhje informacioni të brendshëm mbi transferimin e shumave të mëdha të parave, mundësia e grabitjeve të tilla është thuajse zero.
Policia mburret shpesh me rritjen e sigurisë në vend, por kur kujton vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, një vend me supermasa sigurie, ngjarje e konstatuar vetëm në korrikun e vitit 2014, atëherë qëndrime të tilla shihen me dyshim.
Vjedhjet e mëdha të bankave, kanë ndodhur në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, dhe atyre të përgjithshme të vitit 2017. Ky përkim, ndoshta rastësor i ka dhënë shkas drejtuesve të opozitës të aludojnë, se këto para mund të përdoren edhe ketë herë për blerje votash. Megjithëse kjo është një insinuatë e guximshme, që kërkon më së pari prova.
Pas grabitjeve të vitit 2015, Ministria e Brendshme, kërkoi ndryshimin e rregullores së kompanive private të sigurisë, të cilat duhet të vënë paraprakisht në dijeni policinë, kur do të kryejnë një transport të sasive të mëdha monetare. Nuk dihet nëse është ndjekur çdo herë kjo praktikë, por kjo ngjarje tepër e rëndë, ndodhi vetëm pak ditë pasi qeveria miratoi një vendim për ngritjen e “Illyrian Guard”, që do të funksionojë si shoqëria e parë shtetërore, që do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë, publikë dhe privatë.
Me një kapital fillestar 10 milionë lekësh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, “Illyrian Guard” është 100 për qind në varësi të të Ministrisë së Brendshme. Në fillim të muajit mars, gjatë një fjalimit në Akademinë e Sigurisë, kryeministri Edi Rama e quajti “Illyrian Guard” si një periudhë tranzicioni të butë për oficerët më të moshuar, të cilët janë në prag të pensionit.
Pra do të jenë pikërisht këta efektivë, që do të integrohen pranë shoqërisë së ruajtjes fizike në pronësi të shtetit.
Në këtë vendim, mund të ketë ndikuar edhe puna e dobët e kompanive private të sigurisë fizike në raport me vjedhjet e lartpërmendura, por edhe fakti që në ruajtjen e objekteve shtetërore ato marrin çdo vit nga buxheti i institucioneve shuma të mëdha parash. Veprimtaria e këtyre kompanive, ka qenë shpesh objekt i akuzave të forta për favorizime dhe klientelizëm politik, nga të dyja kampet kryesore të politikës.
Ndaj përpos domosdoshmërisë emergjente, për të zbardhur ngjarjen e rëndë të së martës në Rinas, identifikimit dhe kapjes së autorëve, lipset të ndërmerret një analizë e thelluar e mënyrës se si operojnë operatorët në këtë fushë, duke forcuar rregullat, apo dhe nxjerrë nga tregu ata që nuk përmbushin standardet më minimale, që ka sot bota perëndimore.
Bankat e nivelit të dytë, mund të jenë relativisht të qeta, pasi humbjet u mbulohen nga kompanitë e sigurimeve. Por Ministri i Brendshëm, policia e shtetit, duhet ta trajtojnë me seriozitet maksimal një ngjarje, që njollos rëndë imazhin e sigurisë dhe rendit publik në vend.
Kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë, nga protesta e radhës e madhe e opozitës, përballë godinës së kryeministrisë, dhe një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, me pasojë vrasjen e disa qytetarëve. Që krimi ka marrë hov, kjo duket sheshit. Është urgjente që ky hov të ndalet, para se gjërat të dalin jashtë kontrollit./ Tirana Today