Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj ka folur për mediat lidhur me grabitjen e djeshme në Rinas. Ai hodhi akuza për mënyrën si operon kompania koncesionare, duke krahasuar masat e forta për pasagjerët, në një kohë që nuk siguron dot hapësirën e aerodromit të Rinasit.
“Tani gjithmonë këto që thyejnë ligjin janë një hap më përpara në strategjinë e tyre për të bërë grabitjen. Realisht unë nuk i çmoj si të mira masat që janë marrë pas disa rasteve që kanë ndodh në Rinas dhe në rrugën e Rinasit. Duhet të hetohen më në thellësi problemet e lëvizjes së parave. Përderisa ka një klallauz që tregon se lëvizin një shumë e madhe parash, kjo tregon se ka një person që drejton.
Edhe hetimi duhet të bëhet më i thellë. Asnjë polici private nuk ka të drejtë për të hyrë me armë tek avioni, pasi kalojnë në skaner. Unë i bëj thirrje koncesionarit që operon në aeroport, sa kontrollojnë çantat me kujdes sa na heqin edhe rripin nga brezi, të sigurojë territorin ku operojnë në Rinas për të mos hyrë kriminelët, siç hynë dje pasi ka edhe pasoja. Unë mendoj që Policia e Shtetit ka për të operuar pasi i ka provat”,– u shpreh Sterkaj.