Java politike në Tiranë pritet të nisë me një zhvillim të rëndësishëm. Në kryeqytet do të mbërrijë zyrtari më i lartë amerikan që ka vizituar vendin që prej shpërthimit të krizës politike.
Bëhet fjalë për Zëvendës ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Matthew Palmer. Vizita e tij do jetë një përpjekje për të zgjidhur situatën e krijuar pas fillimit të protestave nga opozita, dhe djegies së mandateve parlamentare.
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë ‘Rama 1’, Ylli Manjani, ka komentuar vizitën e Matthew Palmer në Tiranë. Në postimin e tij të radhës në rrjetin social Facebook, ai shkruan se ndërkombëtarët nuk e kanë haberin nga punët tona. E po kështu ai është i mendimit se kriza politike, e cila ka vënë në rrezik demokracinë, duhet të zgjidhet nga klasa jonë politike.
“Ende shpresoj që kriza jonë politike, që ka vënë seriozisht në rrezik demokracinë, të zgjidhet nga vetë ne. Është krejt e thjeshtë: Kryeministri provokon zgjedhje të parakohshme nëpërmjet një mocioni besimi sipas nenit 104 të Kushtetutës. Kaq duhet! As ndërmjetësim ndërkombëtar (të cilët s’kanë haber nga punët tona) e as tryeza pazaresh.
Thjesht një mocion besimi “i dështuar” e çon vendin në zgjedhje. Nga zgjedhjet dhe vetëm nga zgjedhjet do dalë parlamenti pluralist nga ku fillon të veprojë sistemi demokratik.
E vetmja gjë që kërkon një mirëkuptim është kur do jenë zgjedhjet. Më e arsyeshme është që të bëhen në vjeshtë, së bashku me zgjedhjet vendore, të cilat në kushtet aktuale nuk mund të mbahen.
Vetëm për kaq nuk mendoj se ka nevojë për cirk ndërkombëtar…”, përfundon ai.
Mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve, ndonëse ndikimi i tij u duk që në fillimet e krizës.