Pas përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA-në Turqia është duke krijuar lidhje të ngushta me Rusinë. I menjëhershëm ka qene reagimi nga ana e SHBA-ve pas lajmit se Ankaraja do të furnizohet me sistem raketor nga Rusia. Turqia do të rrezikojë anëtarësinë në NATO nëse blen sistemin rus, të cilin Uashingtoni e sheh si kërcënim për avionët amerikanë, kështu u shpreh nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence.
Ndërkohë konfirmimi është dhënë nga vetë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili lajmëroi se vendi i tij do të blejë një sistem të mbrojtjes raketore nga Rusia.
“S-400 mban një vend të rëndësishëm në bisedimet tona. Argumentet e Shteteve të Bashkuara janë shumë të gabuara. Ne përfunduam procesin e S-400 dhe pagesat tona vazhdojnë”, deklaroi Erdogan në një intervistë për gazetarët në Stamboll.
Me të njëjtin qëndrim si presidenti Erdogan është shprehur edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. ‘Blerja e sistemeve të mbrojtjes nga raketat S-400 të Rusisë, është një “marrëveshje e bërë” dhe nuk mund të anulohet’, sqaroi ai.
Turqia është e njohur për ushtrinë e dytë më të madhe në NATO.
Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë janë përkeqësuar pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, në vitin 2014.
Refuzimi i presidentit Erdogan erdhi pas shqyrtimit të sistemit raketor amerikan Patriot, ofertë që sipas tij “nuk ka qenë e favorshme si ajo e Rusisë”.