Ish-ministri i Jashtëm ka kujtuar 10-vjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, duke bërë një koment të shkurtër mbi situatën aktuale.
Bushati e konsideron Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si marrëdhënien më të lartë angazhuese ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, që sipas tij parasheh një afat 10-vjeçar indikativ, të ndarë në dy faza 5+5, për të përgatitur gradualisht anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Megjithatë, ish-ministri shton se pavarësisht progresit të bërë në këto dhjetë vite, mbetemi larg objektivit të përcaktuar në marrëveshje.
Statusi i plotë:
“Si sot 10 vjet më parë hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ëalter Hallstein, një prej etërve themelues të Bashkimit Europian, njëkohësisht President i Komisionit Europian, do t’i përshkruante marrëveshjet e asociimit “si një marrëveshje më shumë se sa thjesht tregtare dhe më pak se sa një marrëveshje anëtarësimi”.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si marrëdhënia më e lartë angazhuese ndërmjet Shqipërisë dhe BE, parasheh një afat 10 vjeçar indikativ, të ndarë në dy faza 5+5, për të përgatitur gradualisht anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, kemi hedhur hapa të rëndësishëm përpara, me marrjen e statusit të vendit kandidat, marrjen e rekomandimit të qartë të Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe vendimmarrjen e BE-së për nisjen e procesit “screening” dhe kalendarin e bisedimeve. Edhe pse pogresi gjatë kësaj dekade është i pamohueshëm, mbetemi larg objektivit të përcaktuar në marrëveshje.
Në Shqipëri, në dallim prej shumë vendeve të tjera, nuk ka asnjë forcë politike që të kundërshtojë procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Mirëpo kjo nuk mjafton. Politika ditore ka triumfuar shpesh mbi interesin kombëtar, duke injoruar një fakt kokëfortë: nevojën jetësore të shoqërisë për të qenë pjesë e vlerave dhe standardeve europiane.