Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur se partia që ajo drejton ka kontribuar në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Ndër të tjera, Kryemadhi garanton për vazhdimësinë në rritje të këtij kontributi në të ardhmen.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, ajo ka kujtuar 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO, duke i shprehur mirënjohjen e saj SHBA-ve, si mbështetja kryesore për anëtarësimin në këtë organizatë.
“Në këto 10 vite, si anëtare e NATO-s dhe pjesë e misioneve të saj paqeruajtëse, Shqipëria ka dhënë kontribute si kurrë më parë.
Forca e Aleancës sot qëndron jo vetëm në kapacitetet e jashtëzakonshme ushtarake e strategjike që ajo zotëron, por para të gjithash në vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë, vlera mbi të cilat janë ngritur gjithë sistemet politike të vendeve anëtare.”, shkruan Kryemadhi.
Postimi i plotë:
10 vite më parë, më 1 prill 2009, Shqipëria shënoi ngjarjen më të rëndësishme në historinë e saj moderne, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut Verior.
Sot është dita për të shprehur mirënjohje të veçantë për aleatin tonë strategjik, SHBA, i cili ka qenë mbështetja vendimtare për aftësimin dhe antarësimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Antarësimi në Aleancë e rreshtoi Shqipërinë mes kombeve të tjera partnere që kontribojnë dhe garantojnë sigurinë kolektive, në funksion të paqes dhe zhvillimit në zonën Trans-Atlantike dhe përtej saj.
Në këto 10 vite, si anëtare e NATO-s dhe pjesë e misioneve të saj paqeruajtëse, Shqipëria ka dhënë kontribute si kurrë më parë.
Forca e Aleancës sot qëndron jo vetëm në kapacitetet e jashtëzakonshme ushtarake e strategjike që ajo zotëron, por para të gjithash në vlerat e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë, vlera mbi të cilat janë ngritur gjithë sistemet politike të vendeve anëtare.
Prandaj, lufta në mbrojtje të vlerave të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe tregut të lirë, është përpjekje sublime për të forcuar NATO-n, si organizata më e fuqishme politiko-ushtarake që ka njohur njerëzimi.
Si kryetare e LSI-së, dëshiroj të vlerësoj gjithë kontributin që ka dhënë kjo forcë politike për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në marrëdhëniet me të, si dhe të garantoj për vazhdimësinë në rritje të këtij kontributi në të ardhmen.