Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s që solli çlirimin e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe.
Haradinaj tha se ndërhyrja e forcave ajrore të NATO-s para 20 viteve ndaloi gjenocidin që po ushtronin forcat serbe të Millosheviçit kundër popullit të Kosovës.
Më tej, ai u shpreh se ‘populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë’.
“Në njëzetvjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sot i kam dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg. Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ditën e djeshme, kryeministri i Kosovës ka bërë homazhe edhe pranë Pllakës Memoriale të ushtarëve të KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, si dhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë.