Duket se futbollistët shqiptarë të cilët janë rritur dhe aktivizohen në kampionatin grek po e refuzojnë vazhdimisht kombëtaren shqiptare. Një emër që bëri bujë së fundmi ishte ai i Durmishaj, i cili kishte dhënë shumë shpresë se do të vishej kuqezi, por pak para grumbullimit në një intervistë vendosi të zgjidhte Greqinë. Pas tij një tjetër talent, Vrushaj vendos të braktisë atdheun e tij për të mbrojtur ngjyrat helene.
Por nuk mbaron me kaq dhe i treti që braktis Shqipërinë në mënyrë të shëmtuar është Leonidas Rossi. 19-vjeçari i lindur në Sarandë, mbrojtësi i majtë te Apollon Smyrnis fillimisht ka pranuar ftesën e Alban Bushit për të përfaqësuar Shqipërinë U-21, por një ditë më pas, ka refuzuar dhe i ati, në kontakt me trajnerin Bushi, ka thënë se do të përfaqësonin Greqinë.
Për Leonidas Rossin, Leonidh në shqip, ishte ftesa e parë kuqezi. Por, veprimi i tij i turpshëm për t’i thënë “po” Shqipërisë dhe luajtur me dy porta, në presion për Greqinë, është për të “vjellë”. Ndoshta, këtë herë, federata shqiptare e futbollit nuk ka faj.
Në njoftim thuhet dhe se Rubin Hebaj është dëmtuar dhe në vend të tij do të vijë Redon Xhixha i Laçit.
“Ja njoftimi i FSHF:
Përshëndetje të gjithëve,
Ndryshime në listën e Shqipërisë U-21
Ditën e sotme lista e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet zyrtare eliminatore të U21 kundër Turqisë dhe Andorrës ka pësuar dy ndryshime. Sulmuesi i Partizanit, Rubin Hebaj ka pësuar një dëmtim dhe nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi duke u zëvëndësuar nga sulmuesi i Laçit, Redon Xhixha.
Ndryshimi i dytë ka të bëj me mbrojtësin Leonidas Rossi të cilit i është dërguar ftesë zyrtare nga trajneri Alban Bushi për grumbullimin duke e pranuar këtë ftesë. Ditën e djeshme lojtari është njohur me listën e shpallur nga U-21 e Greqisë dhe ka refuzuar grumbullimin me Shqipërinë. Trajneri Bushi ka marrë kontakt me babain e lojtarit i cili është shprehur se qëndrrimi tyre ka ndryshuar dhe lojtari ka zgjedhur të përfaqësojë Greqinë”