Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, njëherësh zëdhënëse e qeverisë, e ka cilësuar parlamentin legjitim. Në emisionin ‘Kjo Javë’, Spiropali ka komentuar situatën politike në vend, pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve.
“Listat i kanë bërë ata. Ajo është lista e PD. Dhe kush është të thotë që Monika Kryemadhi ishte legjitime dhe e denjë për parlamentin dhe nuk qenka zonja nga Dibra që ka marrë mandatin. Po ashtu me radhë, me gjithë listën e kandidatëve. Lulzim Basha pse qenka më i denjë se Myslim Murrizi, apo dikush tjetër që ka marrë mandatin. Ajo nuk është një listë e zgjedhur nga ne.” -theksoi Spiropali, ndërsa theksoi se opozita zgjodhi të vetëvritet e të dalë nga fushë beteja.
“Të gjitha hesapet i kanë bërë pa hanxhinj. Pra, kanë gabuar politikisht në aktin që kanë marrë. A jemi ne të keqardhur për opozitën? Patjetër. Ne nuk do ta kishim dashur që opozita të dilte nga parlament”
Për Spiropalin dialogu me opozitën do të jetë vetëm brenda kornizës kushtetuese dhe rendit demokratik.
“Kjo është një republikë parlamentare dhe parlamentet nuk mund të rrëzohen as me pazar dhe as me dhunë. Dhe ne nuk jemi të gatshëm të ulemi dhe të bëjmë pazar me opozitën.”- vijoi më tej Spiropali, ndërsa u shpreh e vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme sikundër kërkon opozita.
“Zgjedhjet do të mbahen në 2021. Parlamenti do të vazhdojë të funksionojë sepse kushtetuta e detyron shumicën dhe qeverinë të bëjë detyrën. Ne njohim votën dhe qytetarët si sovran. Ne nuk mund as të shantazhohemi e as të merremi peng politikisht nga opozita. Është parim mbi të cilin nuk mund të shkelim.” tha ajo.
Ndër të tjera Spiropali tha se zgjedhjet vendore janë një mundësi për opozitën për të parë mbështetjen në elektorat, ndërsa theksoi se ato do të mbahen edhe nëse opozita vendos të mos marrë pjesë në to.
“Ne nuk mund t’i heqim qytetarëve të drejtën për të zgjedhur qytetarin e parë të bashkive. Ka një afat për t’u regjistruar edhe kandidatët edhe listat. Ne besojmë se do regjistrohen se nuk besoj se kanë humbur arsyen deri në këtë pikë. Mendjet racionale brenda opozitës do i bëjnë thirrje këtyre dy forcave të marrin pjesë në zgjedhje. Në të gjitha rastet ne jemi aty do paraqitemi dhe të shohim cilët do paraqiten për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe për të ardhur në garë.” -theksoi Spiropali.