Imazhet e frikshme të sheshit Skënderbej në Tiranë, mbrëmjen e 2 marsit 1997, janë përkujtesa më e zymtë e asaj se çdo të thotë kaos dhe anarki. Se çfarë do të thotë kur shteti bie, dhe kur situatën e merr në dorë populli. Insinuata, që bëhen ende sot nga i njëjti protagonist famëkeq i 22 viteve e më parë. Parlamenti i përbërë vetëm nga mazhoranca e djathtë, miratoi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Pas orës 7 të mbrëmjes dhe deri në 7 të mëngjesit, ndalohej qarkullimi i qytetarëve në rrugë. Ish-kreu i SHIK, Bashkim Gazidede emërohet drejtues i operacionit për shtypjen e rebelimit në jug të vendit. Në fjalën e tij, ai akuzoi shërbimet e huaja sekrete, përfshirë CIA-n amerikane për organizimin e një rebelimi që synonte rrëzimin e qeverisë. Forcat e Ministrisë së Brendshme dhe të SHIK-ut, u ngarkuan nga parlamenti “për shtypjen e bandave të armatosura terroriste, dhe rivendosjen e rendit kushtetues dhe publik”.
Parlamenti i kërkoi Këshillit të Mbrojtjes “të bëjë mobilizim të pjesshëm të popullsisë”, për ta vënë në dispozicion të MB dhe SHIK-ut. Në rrethe nisi mobilizimi i rezervistëve, anëtarët e PD u pajisën të gjithë më armë. Aviacioni ushtarak, mori urdhra për bombardimin e qyteteve rebele në jug. Fatmirësisht, ndërhyrja e ndërkombëtarëve, dhe arsyeja e shëndoshë e shumë shqiptarëve, shmangu një luftë civile. Edhe pse kaosi disamujor, shkaktoi mijëra të vrarë dhe të plagosur. Gjendja e jashtëzakonshme, e përshkallëzoi më tej situatën. Mijëra të burgosur shpërthyen qelitë, dhe bashkë me të tjerë sulmuan dhe hapën depot e armëve. Në mesin e kësaj tragjedie kombëtare, në Tiranë u konsumua më 3 mars një tragji-komedi e vogël: Sali Berisha u rizgjodh president për një mandat të dytë…