Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zgjedhur ceremoninë e bekimit të gurit të themelit të spitalit “Zonja e Këshillit të mirë” në Tiranë për të dhënë një mesazh të fortë ndaj klasës politike.
Meta tha se ajo duhet të tregohet e përgjegjshme për veprimet që ndërmerr, ndërsa shtoi se Shqipëria duhet të bëjë gjithçka që të frenojë largimin e të rinjve dhe të rejave nga vendi, por theksoi se duhet të krijohen me patjetër kushte dhe mundësi më të mira në vendin ku janë lindur dhe rritur.
FJALA E PLOTË:
Jam shumë i lumtur të marr pjesë në këtë ceremoni shumë të rëndësishme. Vendosja e gurit të themelit të spitalit të ri që do ngrihet në Tiranë dhe Bekimi nga vetë Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin është një veprim jo thjesht simbolik, por që dëshmon fort se shpresa dhe rrezja e dritës që rilindi me ardhjen e Papa Gjon Palit II në Shqipëri 26 vite më parë ishte shenja e Zotit për shqiptarët dhe dheun e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Shenjtores Nënë Tereza.
Ndërtimi i këtij spitali mjaft të rëndësishëm përmbush edhe një amanet të Nënë Terezës. Ky çast është dëshmi e respektit, nderimit dhe frymëzimit të veprës së Shenjtores Nënë Tereza, pasi ai u shërbeu të gjithë atyre që vuanin, u dha shpresë të pashpresëve, fuqi të lodhurve, dritë të verbërve, shërim të sëmurëve dhe u fali dashuri, respekt e dinjitet të dëshpëruarve.
Ngjarja e sotme është dëshmi e vëmendjes, mbështetjes dhe e vlerësimit të vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët treguan kurajë dhe vetëmohim duke u ringritur nga kalvari i errësirës ateiste drejt transformimeve të mëdha politike dhe shpirtërore.
Njëkohësisht kjo ngjarje provon sërish se shqiptarët, në respekt të prejardhjes dhe vokacionit të tyre europian, mbeten të vendosur të përcjellin në breza trashëgiminë e tyre të çmuar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, që Ati i Shenjtë Papa Françesku e vlerësoi lart gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.
Vizita Juaj, Eminencë, në Shqipëri është dëshmi jo vetëm e kujtesës historike të marrëdhënieve të lashta mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë, por veçanërisht e rëndësisë që këto marrëdhënie kanë sot mes dy shteteve jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në atë rajonal. Jo vetëm për promovimin e një shoqërie të drejtë, pa vese dhe plagë shoqërore dhe me të ardhme për të rinjtë, por edhe në vullnetin dhe përpjekjet tona për një rajon në paqe dhe bashkëjetesë, larg frymës së urrejtjes, nacionalizmit e ksenofobisë.
Njëkohësisht dëshiroj të shpreh sot për Selinë e Shenjtë, për Atin e Shenjtë Papa Françeskun, për Ju Eminencë, mirënjohjen e thellë e të jashtëzakonshme për mbështetjen dhe vëmendjen që vazhdoni të tregoni për shqiptarët dhe Shqipërinë si në planin e rimëkëmbjes shpirtërore të besimit ashtu edhe në atë të ndihmës sociale, të popullsisë shqiptare, sidomos në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, që janë aq të prekshme.
Ne ndihemi të bekuar nga lutjet hyjnore të Papa Françeskut për popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Mesazhet dhe lutjet për paqe dhe vëllazërim, për qetësi dhe bashkëjetesë janë sot aktuale për shoqërinë tonë, për politikën dhe politikanët, për përgjegjësinë e madhe dhe historike që ata duhet të tregojnë në çdo vendim që marrin në interes së të ardhmes europiane.
Eminenca Juaj, Duke ju falënderuar për këtë vizitë jashtëzakonisht inkurajuese, dua të ripohoj angazhimin tonë në forcimin e lidhjeve të veçanta që vendi ynë ka me Selinë e Shenjtë, e njëkohësisht të konfirmoj vendosmërinë tonë për të bashkëpunuar në përhapjen e mesazheve të vyera të Atit të Shenjtë për bashkëjetesën e harmoninë fetare e sociale dhe për kthimin e shpresës për të rejat dhe të rinjtë, që të ardhmen e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri, bazuar në ruajtjen e vlerave më të mira familjare, shoqërore dhe kombëtare.
Duhet të bëjmë gjithçka për të realizuar edhe atë porosi të veçantë të Papa Françeskut, që Shqipëria të mos vuajë nga dimri demografik i Europës, por t’i mbajë të rinjtë këtu duke u ofruar edhe më shumë shpresë e mundësi. Mirënjohje të thellë për Atin e Shenjtë, Papa Franceskun, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!”