28-vjetori i themelimit, e gjen Partinë Demokratike në një situatë kaotike. Larg pushtetit, por larg edhe qytetarëve që kanë një mijë e një probleme. Jo se nuk është e gatshme të shkojë pranë tyre, por shumë herë refuzohet. Lulzim Basha pranohet vetëm nga njerëz të dëshpëruar, që ndihen të pafuqishëm përballë arbitraritetit apo arrogancës së pushtetit. Ndërkohë ata që janë më të kthjellët, ia bëjnë të qartë se nuk e duan aty rrotull.
PD vuan ende diskretitimin nga një qeverisje 8-vjeçare tejet problematike. Në 5 vite e gjysmë në opozitë, s’ka kryer asnjë reflektim serioz mbi gabimet e të shkuarës. Për pasojë, nuk ka ende asnjë program të besueshëm qeverisës.
Basha kreu më 2017, spastrimin e madh të kundështarëve në parti. Ndërkohë përkundër pritshmërisë së publikut, s’ka ndërmend që të distancohet lideri historik Sali Berisha. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, por edhe pas tyre, figura të njohura të së djathtës shtruan nevojën e rithemelimit të PD. Të mbylljes së një kapitulli historik, dhe çeljes së një kapitulli të ri, ku të nënshkruhet një kontratë e re me shtresat që mbështesin tradicionalisht të djathtën.
Me “hipotekën” e përjetshme që Berisha ka mbi PD, është iluzive të mendohet se kjo do të ndodhë. Kjo rrugë, rrezikon të çojë PD drejt degradimit në një forcë politike të dorës së dytë. Në këto kushte, barra e rithemelimit, u takon të mënjanuarve dhe të papërfaqësuarve nga Basha.