Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar sot në transfertë ndaj Maltës me rezultatin e thellë 0-5, në takimin e pestë të vlefshëm për Grupin 3 të Ligës D, në edicionin e parë të kompeticionit më të ri futbollistik, Ligën e Kombeve. Ishte goli i Muriqit në të 15’ ai që i hapi rrugën goleadës së Kosovës dhe shkatërrimit të Maltës.
Një gabim i rëndë i vendasve në gjysmëfushën e tyre i dha mundësinë Rashicës të përfitojë dhe rrëmbejë topin furishëm, që përfundon në këmbët e Muriqit, i cili i vetëm përballë portierit, dërgon topin në rrjetë dhe kalon Kosvonë në avantazh.
Një epërsi kjo e Kosovës që është dyfishuar në të 70’ falë golit të Kolollit, që realizoi duke shfrytëzuar një tjetër gabim fatal të mbrojtjes malteze, për të sigluar shifrat në 0-2. Por nuk ka përfunduar këtu.
I porsa futuri në fushë, Avdijaj, është shndërruar në protagonist në përfundimin e takimit, duke realizuar dy gola personal, përkatësisht në të 78’ dhe të 80’. Kur mendohej se ndeshja po i drejtohej përfundimit, Rashica ka realizuar golin e pestë dhe të fundit në të 86’.
Në përfundim të raundit të pestë, Kosova vijon të qëndrojë në krye të grupit, në kuotën e 11 pikëve, dy më shumë se Azerbajxhan i vendit të dytë që gjithashtu fitoi këtë të shtunë në përballjen ndaj Ishujve Faroe.
Tashmë Kosova ndodhet vetëm një hap larg suksesit të parë të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar, pasi nëse do të arrijë të ruajë kreun e Grupit 3 në përfundim të raundit të ardhshëm, atëherë edicionin e ardhshëm do të klasifikohet një ligë më sipër, duke u bërë pjesë e Ligës C.
Në fakt, Kosova ndodhet matematikisht vetëm 1 pikë larg suksesit, pasi ditën e martë, më datë 20 nëntor do të përballet me rivalin direkt, Azerbajxhanin, në takimin e fundit për Grupin 3 dhe një barazim do të mjaftonte që të hipotekojë kreun e grupit dhe ngritjen në Ligën C.