Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha në “Opinion” se Edmond Begon, ia kishin prezantuar zyrtarë të lartë të Komunitetit Mysliman.
Edmond Begon, rezulton të jetë i dënuar më parë në Itali për trafik droge.
“E njoh. Sot për herë të parë në emisionin tënd do të them rrethanat në të cilat e njoha. Zotëria në fjalë më është prezantuar nga disa prej zyrtarëve më të lartë të Komunitetit Mysliman. Zotëria në fjalë si sipërmarrës në vitin 2015, kur e kam njohur për herë të parë, fundi i 2014 dhe fillimi i 2015 në mos gaboj. Ai ka kontribuuar në një prej xhamive të zonës sime elektorale për të cilën i jam shumë mirënjohës. E kam falenderuar dhe prej atij momenti e kam njohur… Sepse edhe unë edhe ti kemi pirë kafe në lokalin e atij personi, tek lokali përballë Venecias dhe sigurisht që e njoh.”
Por në një postim në rrjetet sociale, deputeti Ervin Salianji e hodhi poshtë këtë deklaratë. Ai ka thënë se Balla dhe Bego kanë udhëtuar bashkë që prej vitit 2013.
49-vjeçari Edmond Bego, i dënuar në Itali për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale u vu në fokusin e akuzave të opozitës. Kjo pasi au u ndalua disa ditë nga autoritetet greke të Igumenicës kur po kthehej nga pushimet me familjen në Korfuz.
Udhëtimi
Partia Demokratike ka vënë nën akuzë Kryetarin e Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Ballën si mbështetës politik i biznesmenit. PD e ka përmendur edhe një tender të OST-së me vlerë 100 milionë lekë në Librazhd. Nga ana tjetër e ka lakmuar emrin e tij edhe një tender si nënkontraktor në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Mbrëmjen e së mërkurës, Balla pranoi edhe se ka udhëtuar me Begon drejt Danimarkës. Sipas tij bashkë me ta kanë qenë gazetarë dhe persona të tjerë, ku kanë parë ndeshjen Danimarkë-Shqipëri.