Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, ka qenë i ashpër në reagimin e tij, lidhur me politikën që po ndjek Beogradi zyrtar për çështjen e korrigjimit të kufijve me Kosovën. Majko thotë se serbët janë të kuptueshëm kur duan destabilitet, dhe ky është një nga profesionet që i’ua ka njohur dhe historia, dhe kjo po ndodh dhe ditët e fundit me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Ai sjell në kujtesë reagimin e presidentit Vuçiç dhënë dje përmes një deklarate për mediat, ku parashtronte pyetjen në distancë: “Pse duhet të përmbahemi? Kjo është pyetja ime për BE. Ju lutem, Mogerini, Kocijaniq të më shpjegoni çfarë të përmbahemi?”…
Majko citon po kështu se Serbia ka një administratë profesionale, për ti shpjeguar drejtuesve të shtetit se çfarë ndodh nëse ushtria serbe ndërhyn në territorin e shtetit të Kosovës.
Në analizën e tij, Majko nënvizon se Evropa njihet për mungesën e aksionit, por jo të reagimit. Për të, ndërhyrja e Serbisë në Kosovë do të prodhonte një efekt domino, i cili do të sillte ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Në fund, ai e mbyll duke thënë se nëse Beogradi dëshiron të korrigjojë statusin e vetë rajonal, ka një rrugë tjetër. Ajo nuk kalon nga armiqësia me shqiptarët, apo ndarjet etnike.