Këtë fundjavë Sampdoria mposhti Napolin me rezultatin e thellë 3-0. Protagonist me një gol të pabesueshëm që heshti stadiumin ishte një napolitan, Fabio Quagliarella. Edhe pse ishte një gol që mund të vlerësohet si goli i vitit në kampionatin italian, sulmuesi nuk festoi, pasi është i dashuruar me skuadrën e tij.
Futbollistët në përgjithësi tregojnë dashurinë për skuadrën e fëmijërisë duke puthur simbolin në fanellë, por në momentin që u jepet rasti për të nënshkruar një kontratë të mirë me një skuadër tjetër e shkelin atë. Rasti i Fabio Quagliarellas është unik, sepse ëndrra e tij për t’u bërë hero i qytetit të Napolit, u kthye në një përvojë të tmerrshme.
Pavarësisht se ishte një napolitan krenar, ai karrierën e filloi te Torino. Më pas luajti për skuadra si Fiorentina, Chieti, Sampdoria e Udinese. Pas dy sezoneve mbresëlënëse me Udinesen, ai u thirr në Kombëtare, ndërsa u bashku edhe me Napolin në vitin 2009.
Ai shpejt u bë i preferuari i tifozëve me deklaratat rreth dashurisë së tij për Napolin dhe se dëshironte të përfundojë karrierën e tij në San Paolo. Edhe pse kishte një kontratë 5 vjeçare, vetëm pas 12 muajsh ai u largua. Largimi i tij ishte i tmerrshëm dhe me një barrë akuzash të rënda të cilat Fabio nuk pati mundësinë që ti tregonte, por tashmë ai e ka thënë të vërtetën.
Për sa kohë qëndroi në Napoli, ai ishte i detyruar të duronte përndjekjen e një polici të quajtur, Raffaele Piccolo, i cili ishte i vendosur që ti shkatërronte jetën sulmuesit. Quagliarella në një rrëfim për SportMediaset ka shpjeguar gjithçka që ndodhi në atë kohë.
“Gjithmonë e kam imagjinuar veten si kapiten i Napolit, për të fituar diçka me ta, sepse po bëheshin një ekip i mirë, siç janë tani, një ekip i shkëlqyer. Nëse asnjë nga ato ngjarje të mos kishte ndodhur unë jam i bindur që edhe tani do të isha duke luajtur atje,” shprehet Fabio.
Pasi u largua, Quagliarella e kishte të vështirë që të kthehej në atë qytet për të takuar familjen dhe miqtë e tij. Ai shprehet se priste ditën që të mund të rrëfente gjithcka që kishte ndodhur.
“Isha duke pritur ditën që të mund të shpjegoja gjithçka”- dhe ai moment erdhi kur polici me emrin Piccolo u fut në burg dhe u dënua me katër vite e tetë muaj. “Një përndjekës (polici Piccolo) më torturonte mua dhe familjen për një kohë të gjatë. Nuk e di se çfarë kishte në mendje, pasi ai ishte një oficer policie dhe për shkak të kësaj, unë fillimisht kisha besim te ai. Gjithçka filloi me një problem që kisha për një fjalëkalim dhe ai e zgjidhi.”
Ky ishte vetëm fillimi, më pas filluan kërcënimet me vdekje. “Pastaj fillova të marrja letra anonime me fotografi të vajzave të zhveshura, duke më akuzuar për pedofili, që punoja me Camorrën, që merresha me drogë dhe trukim ndeshjesh. Babai im mori mesazhe kërcënuese. Ata i thanë se dikush do të më qëllojë në kokë, ose që do të shpërthenin shtëpinë time me një bombë”.
Kulmi arriti në momentin që në shtëpinë e babait të Quagliarellas u dërgua një arkivol, ky ishte momenti ku kërcënimet marrin një formë të tmerrshme. Quagliarella dhe familja e tij i kërkuan ndihmë pikërisht policit, pasi nuk e mendonin që ishte pikërish ai organizatori i gjithë kësaj historie të frikshme.
“Çdo kërcënim i vogël papritur u bë një rrezik i madh. Ndjehesha vazhdimisht sikur dikush është duke më ndjekur dhe vështroja anash. Ju nuk mund ta imagjinoni sa i tensionuar edhe në momentin që isha brenda në shtëpi. Organizatori i këtyre kërcënimeve duke qenë oficer policie ishte vazhdimisht në shtëpinë time dhe po bënte çdo gjë sipas planit.
Ai kërkonte që të jepnim shenjat e gishtave, duke thënë: ‘Jemi shumë afër për ta zbuluar, edhe shumë pak ka mbetur’. Piccolo na përmendte edhe disa emra, sikur ishin të përfshirë në këtë ngjarje dhe kjo e bënte të pamundur për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
Nuk mund t’i thosha askujt asgjë, as vëllezërve të mi. Miku im më i mirë Giulio, u thirri nga autoritetet për lidhjet e shpikura me Camorrën. Në fund, ishte babai im ai që e kuptoi. Ai zbuloi se autoritetet asnjëherë nuk kishin marrë ankesat e mija dhe se Piccolo ishte kujdesur që ato të mos shkonin atje.”
Situata u bë shumë e rëndë në jetën e tij personale dhe kjo ndikoi shumë në profesion, duke bërë që të largoheshe nga Napoli i tij i dashur. “Letrat që mora në shtëpi, ai gjithashtu i kishte dërguar edhe në klub. Para një ndeshje që do të luanim në Suedi, drejtuesit më thirrën dhe më thanë që nuk do të luaja pasi isha shitur te Juventusi. Unë nuk dija asgjë deri në atë moment.
Njerëzit më akuzuan se u largova nga Napoli për para, por kjo nuk ishte e vërtetë dhe kjo me të vërtetë e mërziste familjen time. Tifozët u kujdesën që të më nxirrnin tradhtarë, por ata nuk e dinin arsyen e vërtetë se pse u largova. Unë u bëra kapiteni i tyre dhe ata besuan që me mua ekipi do të fitonte një titull. Nëse do të ishte në dorën time, unë ende do të isha në San Paolo, pasi ata 11 gola që kam shënuar atje vlejnë sa 100 gola në karrierën time.
Unë u përpoqa t’u tregoja atyre se sa më pëlqen Napoli me gjeste të vogla, si refuzimi për të festuar pas golit me Torinon. A do të ktheheshe në Napoli? Do të ishte e mrekullueshme vetëm ta dija që fansat kanë ndërruar mendim për mua.”
Fatmirësisht për Quagliarellan, tifozët e pasi e dëgjuan rrëfimin e tij, zbuluan një flamur në mbështetje të tij pas ndeshjes me Crotonen ku shkruhej:
“Pavarësisht ferrit që keni përjetuar, ju treguat dinjitet të madh. Do të mbështesim përgjithmonë Fabio, biri i këtij qyteti”. Tani 35 vjeç lojtari i Sampdorias, Quagliarella, ende e ka në zemër fanellën e Napolit. Dashuria dhe respekti vazhdojnë të jetë i njëjtë dhe ai sa herë u shënon nuk feston. /TIRANA TODAY/