Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur me tone të forta gjatë takimit të sotëm me Komitetin Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Rinore për Integrim.
Ajo ka pranuar se ky ka qenë viti më i vështirë që ka kaluar LSI-ja, duke lëshuar akuza të forta në adresë të kryeministrit Rama. “Ky ka qenë viti më i vështirë i LSI, ju, LRI keni qenë motivi që LSI i rezistoi përpalljes së ndyrë dhe monstruoze e kriminale të rilindjes së Ramës”- tha ajo.
Gjatë fjalës së saj në takim, Kryemadhi theksoi se Rama e di shumë mirë se do të përballet me drejtësinë. “Ai e di shumë mirë se do të përballet me drejtësinë, por së pari me drejtësinë e popullit, nuk jemi gjykatës, por gjykatësi më i madh është Zoti që na gjykon të gjithëve, të gjithë do të gjykohemi një ditë për veprimet tona, unë nuk dua të gjykohem pse nuk veprova, se është njëlloj me atë që ka bërë krimin, ndaj ne duhet të veprojmë, të bëjmë lëvizjet tona, të denoncojmë çdo mësues, apo drejtorë shkolle që ushtron dhunë psikologjik e politike, se tashmë nuk jemi më si më parë, përgjigja do të jetë shumë e egër ndaj kujto që kërcënon”- tha ajo.
Më tej Kryemadhi u shpreh se kriminelët nuk kanë frikë shteti, pasi e kanë në dorë atë.
“Thonë që kriminelët kanë frikë nga shteti dhe nga reforma në drejtësi, por i qëllojnë me kallash shtëpisë së gazetarëve. Kjo nuk është frikë. Nuk kanë frikë sepse kryekrimineli është në krye të qeverisë”, u shpreh Kryemadhi.
Kreu i LSI-së theksoi se “pagat e shqiptarëve po zhvlerësohen dhe po rritet varfëria, gjë që do të sjellë dëshirën epidemike për tu larguar nga Shqipëria”.
Kryemadhi mendon se dëshira për të qëndruar në Shqipëri i kthehet të rinjve me aksion politik: “Duhet t’i kthejmë dëshirën rinisë për të qëndruar në Shqipëri. Besimi te vendi ynë kthehet me aksion politik”.
Në fund, Kryemadhi paralajmëroi për “ditë të nxehta shtatori” në politikën shqiptare.
“Në shtator nisin ditët e nxehta të verës për politikën. Do të jetë sesion parlamentar i vështirë që nis me grabitjen e Teatrit Kombëtar, që është grabitje e kulturës dhe historisë”, tha Kryemadhi.
Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së
Monika Kryemadhi të rinjve: Dëshira juaj për ta ndryshuar këtë realitet është më e madhe se dëshira e klasës politike shqiptare në vite.
Në fakt na mori malli shumë shpejt për Jalën, sepse është një nga aktivitetet që për hir të së vërtetës ka krijuar historinë e saj në 10 vjet. Por nuk ka brenda saj vetëm emocionin apo angazhimin rinor, por brenda saj ka më shumë mesazhin politik që ka të bëjë me solidaritetin, që ka të bëjë me bashkëpunimin dhe me kompaktësinë që ka krijuar në gjithë këto vite Lëvizja Rinore për Integrim. Dua të përgëzoj organizatorët, por mbi të gjitha dua të përgëzoj gjimnazistët të cilët kanë qenë përfaqësuesit tanë më entuziastë në kamp dhe e kanë marrë aq seriozisht këtë angazhim edhe punën në forum saqë kjo është një shpresë shumë e madhe për ne, që jo vetëm LRI-ja ka të ardhme por edhe LSI-ja ka të ardhme. Kështu që për disa vite jo vetëm Lëvizja Rinore për Integrim por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim i ka emisarët e saj për të vazhduar dhe për të ecur hap pas hapi. Nuk do doja që të vazhdonim sepse emocionet e Jalës dhe të gjithë grupit të punës do të duheshin javë të tëra për t’i përshkruar, por do të doja që të bisedonim dhe të funksiononim duke filluar axhendën politike të LRI-së.
Tashmë ju e dini më së miri keni ndjekur hap pas hapi, sepse nuk jeni thjesht të rinj, nuk jeni thjeshtë nxënës apo studentë. Tashmë ju jeni punonjës politikë të cilët kemi krijuar jo vetëm axhendat tuaja politike në rrethet ku jeni por mbi të gjitha do të krijoni dhe axhendën politike të Lëvizjes Rinore për Integrim por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ju e dini shumë mirë që në të gjithë historikun e saj, me datën 6 shtator ne kemi 14 vjetorin e LSI-së, e dini që historiku i LSI-së është i ngjitur ngushtë dhe i pandarë nga historiku dhe energjia e LRI-së.
Prandaj boshti dhe energjia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka ardhur gjithmonë nga strukturat tuaja. Dhe duke pasur parasysh një gjë të tillë është akoma sot më e vështirë në këto vite në të cilën partia ka vendosur për të qenë në opozitë, jo për të qenë pjesë e qeverisjes është shumë e rëndësishme, por të mos harrojmë që është shumë më e shëndetshme që kjo strukturë rinie të krijojë një strukturë totalisht të pavarur nga çdo ndikim i pushtetit, por të jetë një strukturë rinie totalisht e pavarur për sa i përket qoftë organizimeve politike, që ka vendosjen, vendimet e veta, ka vendimmarrjet e veta, ka filozofinë e vet politike dhe mbi të gjitha ka entuziazmin e saj. Dhe atë çka e bën më të rëndësishme dhe më të pavarur pozicionimin e saj politik.
LRI është një strukturë rinie që për hir të së vërtetës në këto 14-15 vite është një nga strukturat më të forta të rinisë në jetën politike shqiptare, gjë që të cilën e ka bërë që të jetë një brand. Por sot ne nuk flasim më për brand – in, por flasim për produktivitetin e këtij brandi në jetën shoqërore dhe jetën politike. Tashmë ju jeni më koshient se unë, e dini shumë më mirë se unë se në çfarë gjendjeje ndodhet sot rinia shqiptare.
Kemi me qindra mijëra të rinj të cilët largohen nga Shqipëria. Kemi 70% të të rinjve në gjimnaze të cilët duan të ikin dhe nuk duan të jetojnë në Shqipëri. Kemi sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare qoftë të OKB-së, qoftë të DEA-s apo të institucioneve të tjera që merren me këtë punë, mbi 150 mijë shqiptarë që janë përdorues të rregullt të kokainës pra të drogës më të shtrenjtë ku ndërkohë është rinia më e varfër. Dhe mbi të gjitha kemi një zhvillim shumë të prapambetur, kemi thjesht fasada të zbukuruara, të lyera dhe të rregulluara me paratë e shqiptarëve por nuk kemi zhvillim ekonomik, qoftë shërbime ndaj qytetarëve, nuk kemi arsimim të mirë dhe të shëndetshëm për të rinjtë shqiptarë. Nuk kemi një sistem shkollor, nuk kemi një sistem shëndetësor që t’iu shërbejë qytetarëve dhe taksave që paguajnë, por kemi thjesht një grup njerëzish të cilët kanë uzurpuar jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të shqiptarëve.
Në fakt është shumë e thjeshtë për të konstatuar sot, sepse gjërat janë shumë prezente nuk ka nevojë t’i thuash të varfërit që je i varfër, nuk ka nevojë t’i thuash të pambrojturit që je i pambrojtur, nuk ka nevojë t’i thuash plakut që je i plakur, nuk ka nevojë t’i thuash të riut që je i ri, sepse sot të gjitha gjërat janë të konstatuara. Por sot është e nevojshme përgatitja e një plani pune dhe e një axhende politike për situatën në të cilën jemi. Në fakt po të na dëgjojnë të gjithë do thonë çfarë është kjo që po flasin këta?! Pse këta të rinjtë, këta gjimnazistët, këta studentë do na nxjerrin ne nga kjo situatë?! Jo, në fakt nuk mund të themi që eksperienca juaj personale është e niveleve të ekspertëve profesionistë. Por mund të them që dëshira juaj për ta ndryshuar këtë realitet është më e madhe se dëshira e klasës politike shqiptare në vite. Pse e them këtë?
E them këtë sepse ajo ndihet në çdo aktivitet tuajin, ndihet në çdo bisedë tuajën. Dhe kjo gjë duhet përkthyer tashmë në aksion politik. Shqipëria është në një alarm të madh dhe një alarmi të madh duhet t’i përgjigjemi me një front të madh kombëtar. Situata në të cilën gjendet sot Shqipëria është një nga situatat më të këqija që ka pasur ndonjëherë. Është në kufijtë e humbjes së identitetit të saj. Është në kufijtë e rrëzimit të shtetit të saj. Vërtetë shteti shqiptar në këto vite tranzicion ka qenë shumë i dobët, por në njëfarë mënyre shteti shqiptar në këto vite tranzicion ka qenë shumë i dobët por në njëfarë mënyre kriminelët kanë pasur një lloj frike nga shteti. Sot kriminelët nuk kanë më frikë nga shteti sepse shteti është në duart e tyre.
Kanë pasur frikë nga gjykatat, dëgjojmë deklaratat qesharake që thonë kanë frikë nga drejtësia kriminelët. Jo jo, po të ketë frikë nga drejtësia krimineli, nga Reforma në Drejtësi nuk qëllon qytetarët me kallashnikov në derën e shtëpisë. Po të ketë frikë krimineli nga Reforma në Drejtësi nuk bën këtë krim që bëhet sot në rrugët e Shqipërisë. Po të ketë frikë krimineli nga Reforma në Drejtësi nuk do të ishim në këtë gjendje që ishim sot. Pse? Sepse kryekrimineli, kryeministri shqiptar është ai që orienton dhe drejton dorën e krimit të organizuar. Sot shqiptarët janë më të varfër, paguajnë taksa më të larta, kanë energjinë elektrike më të lartë, kanë çmimin e bukës më të lartë. Sepse si rezultat i rritjes së taksave nga qeveria, rriten dhe çmimet e ushqimeve. Por ajo çka është më qesharake është që pagat e shqiptarëve jo vetëm që nuk janë rritur por kanë filluar dhe të zhvlerësohen çka do të thotë që mënyra e jetesës, standardi i jetesës së shqiptarëve çdo ditë e më shumë po ulet.
Pra po rritet varfëria gjë që do të sjellë veç dëshirë epidemike po themi të shqiptarëve për tu larguar nga Shqipëria. Prandaj misioni i rinisë shqiptare është që të rikthejë këtë dëshirë, këtë angazhim të të rinjve shqiptar për të qëndruar në Shqipëri. Për të ndryshuar këtë realitet të hidhur, sepse ndoshta në njëfarë mënyre edhe neglizhenca apo indiferenca e klasës politike ndaj të rinjve ka bërë që rinia të humbasë besimin te politika. Na duhet që ne të rikthejmë këtë besim. Këtë besim nuk do ta arrijmë duke i bindur njerëzit thjesht me fjalë të bukura por duke bërë aksionin politik. Gjimnazistët fillojnë shkollën në datë 17 shtator, universitetet pak më vonë.
Në këtë periudhë studentët janë në sezonin e provimeve të vjeshtës, janë të detyruar që ta ndjekin hap pas hapi, por kjo nuk do të thotë që pavarësisht nga axhenda mësimore, ne aksionin tonë politik ta lemë pas dore. Kështu që në të gjitha rrethet e Shqipërisë ju do të bëni sot axhendën e punës, konferencat e LRI-së, ku në thelb nuk do të jetë vetëm përzgjedhja e strukturave drejtuese të rinisë për shkak të lëvizjes së gjeneratave që janë rritur sepse për hir të së vërtetës është rritur LSI për shkak të LRI, sepse është rritur LRI. Jemi të detyruar që ti rifreskojmë të gjitha strukturat e LRI-së, në gjithë Shqipërinë ashtu sikurse do rifreskohen të gjitha strukturat e LSI-së me ish- të rinjtë e LRI-së që sot për hir të së vërtetës janë bërë prindër, kanë krijuar familjet e tyre dhe tashmë nuk janë thjesht në kuadrin e studentëve apo gjimnazistëve. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm tu uroj suksese në punën tuaj, tu them që ditët e nxehta të verës nuk kanë mbaruar për politikën shqiptare përkundrazi në shtator ditët e nxehta të verës fillojnë me sesionin e ri parlamentar.
Do të jetë një sesion shumë i vështirë, i cili fillon me grabitjen e pronës së shqiptarëve, Teatrin Kombëtar. Nuk është thjesht grabitja e një godine me qerpiç sipas kryeministrit, por është grabitje e vlerave, identitetit, kulturës dhe historisë jo vetëm të popullit shqiptar por dhe të rinisë se mbi të gjitha në atë teatër kanë kaluar breza të tërë, aktorë të rinj të cilët janë bërë aktorët më të mirë dhe më të dëgjuar në Shqipëri. Kanë krijuar historinë e kulturës shqiptare. Por këtu nuk qëndron problemi te kultura, por te makutëria në kokën e një kryeministri, i cili nuk kënaqet më thjesht duke uzurpuar, por tashmë kërkon edhe të vjedhë dhe të grabisë pronën e shqiptarëve dhe më pas nga një pronë publike fillon të grabisë dhe prona private gjë që e shikojmë.
Besoj të gjithë e keni dëgjuar videopërgjimin skandaloz të presionit që ushtrohet ndaj gjyqtarit të gjykatës së Strasburgut, pra kur merr guximin për të shantazhuar gjyqtarin e Strasburgut që tu vjedhë pronat shqiptarëve mendoni se çfarë mund të bëjë ai me Reformën në Drejtësi, çfarë mund të bëjë ai me institucionet, dokumentacionet e hipotekave apo dhe proceset e legalizimeve. Mendoni se çfarë mund të bëjë ai me pronën, jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve. Prandaj sot është alarm i madh sepse një i çmendur dhe një i kapur po shkatërron çdo segment të shtetit shqiptar, por mbi të gjitha po kërkon të shkatërrojë dhe atë pak histori që shqiptarët e kanë shkruar me jetë.
Kështu që struktura e LRI ka një mision shumë të rëndësishëm përveç se për të biseduar me çdo gjimnazist me çdo të ri, për të krijuar koordinimet dhe bashkëpunimet me të gjitha forumet e tjera politike dhe jo politike, me shoqërinë civile, për të bërë aktivizimin dhe zgjerimin e LRI-së jo vetëm politik por dhe jo politike, sepse sot faktori politik nuk ka më aq shumë rëndësi sa ka faktori kombëtar i mbijetesës dhe i identitetit të kombit tonë. Unë dua të them që kusuret e klasës politike janë shumë të mëdha por mos u bëni dhe ju pjesë e këtyre kusureve por merrni një sfidë, një mision të pamundur që ta bëni mision të mundur për të ndryshuar këtë realitet dhe për ta përmbysur këtë oligarki, të krimit, të drogës të shumë gjërave të këqija që vetëm varfëri dhe mjerim i kanë sjellë shqiptarëve.
Dua të jem shumë e sinqertë me ju. Unë e di që ndonjëherë sinqeriteti nuk vlerësohet dhe merret si dobësi, por unë për hir të së vërtetës, sinqeritetin e kam pikën time më të fortë, sepse kjo më bën që të jem pa asnjëlloj kompleksi ndaj asnjë njeriu dhe asnjë kolegu. Nëqoftëse ne nuk do të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin të jeni të bindur se do ta kemi shumë të vështirë misionin tonë. Unë jam shumë e sinqertë në punën dhe angazhimin tim, sepse mendoj që në Shqipëri nëse nuk do të vërehet sistemi i vlerave dhe shërbimi i institucioneve ndaj njerëzve, ky vend do ta ketë shumë të vështirë të bëhet. Pse? Sepse rrethohet nga vende që nuk janë dashamirëse, për hir të së vërtetës dhe ne e dimë shumë mirë se sa të vështirë e ka pasur vendi ynë për të ndërtuar identitetin e saj dhe se sa të vështirë e ka pasur edhe për ta mbajtur.
Sot një kryeministër po mundohet ta shkrijë, siç e tha edhe partia e verdhë në Jalë, “falin det e falin toka”, kështu që nuk e ka më të vështirë ta shkatërrojë atë për shkak të vetes së tij. Ai e di shumë mirë që një ditë do të përballet me drejtësinë e vërtetë, por mbi të gjitha edhe me drejtësinë e popullit shqiptar.
Ne nuk jemi as prokurorë dhe as gjykatës që ta gjykojmë atë, s’jemi as gjykatësit e korruptuar apo jo që i janë futur vetting-ut, i cili është bërë me listat që dorëzon rilindja në Komisionin e Vetting-ut, por di të them që gjykatësi më i madh është Zoti që është lart që na gjykon të gjithëve ne.
Mosveprimi është të jesh njëlloj me atë që ka bërë krimin, prandaj ne sot duhet të bëjmë axhendat tona dhe të organizohemi, mbi të gjitha të denoncojmë çdo drejtor shkollash dhe çdo mësues që ushtron dhunë psikologjike dhe politike mbi nxënësit, sepse sot nuk jemi as si para një viti por të jeni të bindur se do të dënojmë çdo person që do kërkojë të intimidojë studentët dhe nxënësit, jo vetëm të LRI-së por të çdo forumi politik.
Ne jemi shumë të vendosur në rrugën tonë, ashtu si në shumë qytete strukturat e rinisë kanë filluar të lëvizin në shkolla dhe universitete, ashtu duhet të vazhdojmë me punën edhe nëpër qytete të dorës së dytë që nuk kanë universitete, por që kanë gjimnaze që po shkojnë drejt rrudhjes për shkak të emigrimit të të rinjve. Duhet të punojmë me ata pak të rinj që kanë mbetur dhe gjithashtu edhe me studentët që janë në Itali, Greqi, Amerikë, Angli e Gjermani në mënyrë që e gjithë struktura e LRI të kthehet në një uragan që ta rrëzojë krimin e organizuar.
Edhe njëherë ju falenderoj për organizimin sepse me të vërtetë që këtë vit e keni pasur më të vështirë dhe ju keni qenë ata që e keni motivuar dhe i keni ndezur motorët LSI-së. Kështu LSI i ka mbijetuar përpalljes së ndyrë dhe monstruoze të Edi Ramës.