Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pritet të vendosë sot për kërkesën e Saimir Tahirit, për ndryshim të masës së sigurisë.
Në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar në orën 13:30, ish-Ministri i Brendshëm ka kërkuar heqjen e arrestit shtëpiak, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 12 Maj. Sipas avokatit Maks Haxhia, kjo masë është e tepruar, pasi sipas tij prokuroria nuk ka asnjë provë të re kundër Tahirit.
Nga ana tjetër edhe organi i akuzës e ka apeluar masën e dhënë për ish-ministrit duke kërkuar arrest me burg për të.
Treshja e gjyqtarëve që do të vendosë sot në Apel përbëhet nga Saida Dollani, kryesuese, ndërsa anëtarë janë Sokol Binaj e Fehmi Petku.
Ndërkohë, një ditë më parë Ambasadori amerikan Donald Lu tha se gjykatësve po u bëhen presione dhe kërcënime, por ka edhe tentativa për ta blerë për këtë çështje.
“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe lidhin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Lu.