E ardhmja e Hysajt duket se është vendosur, ai nuk do të jetë më pjesë e Napolit në sezonin e ardhshëm. Gazetari Livio Varriale, ka zbuluar se Napoli ka gjetur akordin për të kaluar futbollistin në radhët e një nga klubet më të njohura për momentin në Europë, PSG-së.
“Hysaj është shitur te PSG”, janë fjalët e Varriales në “Twitter”, që kanë bërë bujë përtej Adriatikut, pasi ky ishte një emër i papritur për të gjithë. Vetë Varriale ka shtuar më pas se këtë lajm e ka marrë nga një burim në Angli, por pa specifikuar detaje të tjera.Në fakt, Hysaj monitorohej prej kohësh nga klubet angleze dhe spanjolle, por emri i PSG kishte dalë rrallëherë në skenë. Kjo ka qenë arsyeja pse është cilësuar si një e papritur e madhe, ndonëse mes dy klubeve ka një mirëkuptim sa i përket merkatos, duke llogaritur se drejt francezëve janë bërë disa transferime në këto vite, mes të cilëve Laveci e Cavani.