Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas shkarkimit nga detyra e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe në vend të tij u komandua Donika Prela.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kryemadhi thotë se ky është një shkarkim i paligjshëm, dhe për këtë gjë akuzon kryeministrin Rama.
“Shkarkimi i Hajdarmatajt u bë pasi hetoi çështjen Tahiri,” shkruan kryetarja e LSI-së në postimin e saj.
Gjithashtu, Kryemadhi shkruan se “Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, e cila mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë.
LSI paralajmëron qartas Prokuroren e Përgjithshme dhe të gjithë strukturat përgjegjëse; Të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit!” shkruan ndër të tjera Kryemadhi.
Postimi i plotë i Monika Kryemadhit
Shkarkimi i paligjshëm i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda është rasti me flagrant i Edi Ramës dhe veglës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme!
Besim Hajdarmataj ishte prokurori që nisi të hetojë për çështjen Tahiri, kërkoi dhe argumentoi ndalimin e tij me akuza të qarta dhe të bazuara, por që u hodhën poshtë nga deputetët e PS.
Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri, e cila mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë.
Emërimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk është kompetencë e Arta Markut!
Por kjo nuk e ka penguar atë dhe shefat e saj në qeveri të ndërmarrin këtë veprim të paligjshëm, në kohën kur të gjithë prisnin që çështja Tahiri të shkonte deri në fund.
Edi Rama, i frikësuari i madh i drejtësisë bërtet lart e poshtë për Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ndërkohë largon nga detyra Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda pa pritur që ai të vetohet.
Ky akt i paprecedent rëndon mbi Prokuroren e Përgjithshme, e cila vetë nuk ka kaluar në procesin e Vettingut, rëndon mbi të gjithë ata që paturpësisht vijojnë të shkërmoqin dosjet e krimit dhe korrupsionit.
Edi Rama duhet ta ketë të qartë që asnjë presion apo largim i paligjshëm nuk e shpëton atë dhe bashkëpunëtorë e tij nga dosjet e krimit dhe korrupsionit. Për ato dosje ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të përgjigjen para drejtësisë një më një!
LSI paralajmëron qartas Prokuroren e Përgjithshme dhe të gjithë strukturat përgjegjëse; Të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit!
Çdo akt i tillë i paligjshëm, që nga ekstradimi i Naser Seitajt dhe deri te ky i sotmi, është përgjegjësi e pastër penale e atyre që kanë firmosur urdhrat e kryeministrit.