Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar disa nga zhvillimet me të fundit të politikës shqiptare. Ai ka marrë në mbrojte ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu, duke u shprehur se është e pamundur që një diplomat të kërkojë arrestime politikanësh. Ky reagim i tij vjen pas publikimit të letrës ku ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, ka pretenduar se ambasadori amerikan Lu i ka kërkuar arrestimin e kreut të shtetit Ilir Meta.
Megjithatë, duke e quajtur Llallën si një ushtar besnik të opozitës, Brokaj zbuloi se pas letrës së Llallës drejtuar Kongresit Amerikan mund të fshihet Berisha.
Po ashtu, ish-ministri, për gazetën “Sot” ka hedhur poshtë hipotezën se letrën Llalla, duke thënë se ai e ka shfrytëzuar edhe për të sulmuar dhe denigruar figurën e ambasadorit Lu, duke qenë se ky i fundit është një ndër promovuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi, për të cilën theksoi se opozita e ka frikë dhe tmerr.
Por nga ana tjetër, Brokaj u shpreh i bindur se ambasadori Donald Lu në çfarëdolloj rasti e rrethane që flet, sipas tij, flet në emër të Departamenti Amerikan të Shtetit.
Zoti Brokaj, opozita shqiptare ka ndërmarrë një aksion kundër qeverisë, teksa është bërë dhe thirrje për mosbindje civile. Pas bllokimit të disa akseve rrugore, tensione u shënuan dhe ditën e enjte në sallën e Parlamentit, pasi u sulmua me miell kryeministri. Si i shihni këto reagime të PD dhe LSI?
Dhuna e sotme në Kuvend e orkestruar kryekëput nga opozita ishte një shfaqje e shëmtuar. Nuk çuditem aspak, pasi janë po ata protagonistë që kanë shkaktuar vetëm kaos dhe mjerim në Shqipëri. Ata dinë të bëjnë vetëm këtë lloj veprimi dhe nuk ka as mend, as kauzë, as program, as alternativë dhe kanë në dorë vetëm një instrument, atë të cilin mund ta bëjnë vetëm njerëzit që nuk kontrollojnë si të thuash zgjedhjet dhe emocionet. Shfaqja në Kuvend nga ana e deputetëve dhe drejtuesve të opozitës, ishte një akt rrugaçërie.
Megjithatë për një gjë jam i bindur se kjo shfaqje e turpshme e opozitës jo vetëm sot, por edhe më parë, forcojnë pozitat e mazhorancës qeverisëse. Nuk ka popull në botë që të shkojë në zgjedhje dhe të votojë karagjozë të tillë siç janë elementët e kësaj opozite. Është e papranueshme sjellja e opozitës, kështu që edhe populli e di mirë që nuk e voton këtë opozitë, pasi kjo e fundit nuk i premton asgjë qytetarëve. Dhe ndërkaq liderët e opozitës sillen si rrugaçë ordinerë.
PS akuzoi opozitën se po e bën këtë për të bllokuar integrimin e vendit, ndërsa është dhe një reagim kundër reformës në drejtësi. Ju si e shihni?
Opozita e sotme e ka tmerr reformën në drejtësi, dihet ajo punë. Reforma në drejtësi po ta shikosh kronologjikisht, që kur filloi procesi i kësaj reforme që nuk e shtynin dot më, nuk e shmangnin dhe deformonin dot, filluan këto veprimet e tjera. Kështu që siç thashë vetë reforma në drejtësi si element themelor i integrimit dhe të gjithë elementët e tjerë si reformat progresiste të ndërmarra nga ana e qeverisë janë si të thuash burimi i nervozitetit dhe akteve të dhunës së opozitës. Kjo opozitë nuk e do reformën në drejtësi andaj dhe bën këto shfaqje.
Reagimi i opozitës erdhi pas një proteste që ndodhi në Kukës pak ditë më parë, të cilët dolën kundër tarifës së vendosur aty. Por u duk sikur kjo protestë u përvetësua nga opozita. A pati një përdorim politik të saj?
Për mendimin tim kjo lloj opozite nuk ka as alternativë, as kauzë. Kështu që çfarë i del përpara merret me to, e zmadhon, e shumëfishon, e deformon për ta bërë për vete tubimin dhe e quan se ka kryer detyrën e opozitës. Opozita e sotme duke qenë se nuk ka mbështetës, shkon kudo ku qytetarë për të përfituar dhe politizuar protestën. Shyqyr për opozitën që kryeministri Edi Rama nuk i informoi qytetarët paraprakisht dhe ta sqaronte problemin e taksës apo tarifës së Rrugës së Kombit, dhe mileti i painformuar reagoi në Kukës, kurse këta vajtën me vrap që të vënë zjarrin atje. Pra kjo është e gjitha përmbajtja dhe thelbi i veprimit opozitar.
Po thirrjet e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit për mosbindje civile si i shihni?
Paralajmërimi nga ana e opozitës dhe liderët e saj kryesor përsa i përket thirrjeve për mosbindje civile, për mendimin tim jo vetëm që është e ekzagjeruar por kryesisht e tepërt. Madje, e vërtet është se gjithë veprimet e opozitës bëhen dhe kanë axhendë të paramenduar, pasi kjo thirrje krejt artificiale, vjen në një moment tejet nevralgjik në të cilën ndodhet vendi siç është çelja e negociatave me Bashkimin Europian.
Pra dihet që opozita ka një kreshendo dhe rritje të veprimit të tyre të dhunshëm, sapo afrohet negocimi ose elementë të integrimit për në Evropë dhe prandaj ata i bëjnë këto veprime. Për mendimin tim, opozita e ka tmerr procesin e integrimit dhe sapo bëhet një hap përpara nga Bashkimi Evropian në marrëdhënie me Shqipërinë, këtë natyrisht nervozohen dhe shtojnë represionin, dhunën dhe veprimin e dhunshëm opozitar, për të penguar këtë proces.
Një tjetër proces i rëndësishëm në vend është dhe procesi i vetingut. Deri më tani janë dhënë rezultate për dy emra. Mendoni se do ketë rezultate ky proces?
Procesi i deritanishëm i vetingut, të krijon më shumë siguri se më parë. Ka ardhur koha dhe jam i bindur se falë procesit të vetingut sistemi i drejtësisë do të pastrohet nga njerëzit e korruptuar deri në maksimumin e vet apo deri në embrion. Reforma në drejtësi për mendimin tim jo vetëm që është e domosdoshme por jetësore për Shqipërinë dhe qytetarët. Jam i bindur se shumë shpejt falë procesit të reformës në drejtësi do të shohim një drejtësi të pavarur, të pastër dhe me integritet, pasi gjithë kasta e të korruptuarve do të zbythen nga kjo reformë dhe do të shkojnë para drejtësisë për gjithë zullumet dhe vuajtjet që i kanë bërë këtij kombi.
Të mërkurën u publikua në media një letër që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i ka dërguar Kongresit Amerikan dhe pretendonte se ambasadori Lu i këkroi arrestimin e presidentit Ilir Meta. Si e shihni këtë letër?
Zgjedhja e Adriatik Llallës si Prokurori i Përgjithshëm, është fyerja më e madhe që u është bërë qytetarëve shqiptarë. Për mua këtu fillon ajo si të thuash vlerësimi. Pastaj pas kësaj do të thosha unë gomarllëqe të tilla që di t’i bëjë vetëm Llalla, i cili akuzon ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu se ka ndikuar mbi të.
Nuk ka ambasador në botë, qoftë edhe ambasadori më injorant, që të japë emra për arrestime aq më tepër të niveleve të larta si Presidenti i Republikës, apo nivele të larta të tjera. Shërbimet diplomatike në ndihmë të proceseve integruese dhe reformave mund të thonë rrethana dhe kushte, por kur jo persona. Të jeni të bindur që ambasadori Donald Lu nuk bën asgjë me kokën e vet, përkundrazi ai konsultohet dhe është në kontakte të vazhdueshme me DASH dhe shtetin amerikan.
Pra që të hyjmë në thelb të çështjes Adriatik Llalla letrën që ia dërgoi amerikanëve e bëri për të krijuar situatë për veten e vet, por ndërkaq mund të ketë edhe ndonjë zë për të krijuar si të thuash meqenëse ambasadori Lu mori flamurin dhe u bë elementi më i fuqishëm dhe më karizmatik ndër të huajt për sa i përket procesit të reformës në drejtësi, në këto kushte Llalla bëri një lëvizje të paramenduar që për të goditur Lu-në u kujdes t’i dërgonte letër amerikanëve.
Por nuk është çudi, pasi pas Llallës fshihet ish-kryeministri pasi edhe më parë kemi raste nga ana e kësaj opozite qoftë edhe kur ishte në mazhorancë që merrej dhe intimidonte ambasadorët e SHBA-ve siç janë rasti i dy ambasadorëve të fundit para ambasadorit Lu. Pra kjo lloj opozite e ka strategji të sajën që të sulmojë ambasadorët dhe trupat diplomatike.
SHBA e ka shpallur “non grata” Adriatik Llallën dhe ndaj tij ka nisur dhe një hetim penal. A mendoni se ai duhet të mbajë përgjegjësi penale për veprimet që ka bërë gjatë 5 viteve në detyrë?
Sa i takon hetimeve të nisura nga ndaj Llallës, mendoj se duhet t’i shkohet deri në fund kësaj çështje. Ish-kryeprokurori Llalla është i vetmi që nuk burgosi asnjë zyrtar të korruptuar dhe dinte të bënte vetëm deklarata. Kështu që nëse gjendet me shkelje duhet të përballet me drejtësinë. Unë jam shumë i bindur që Adriatik Llalla është një derivat dhe në funksion të opozitës dhe liderëve të saj.
Llalla nuk përbën si të thuash një element apo njeri me integrim apo pavarësi në veprime. Gjatë kohës që ai ka ushtruar funksionin e kryeprokurorit ka punuar vetëm për opozitën e sotme. Llalla ishte një lolo, një mashë, një kamxhik dhe një ushtar në shërbim të opozitës së sotme dhe mazhorancës së djeshme. Llalla është turpi i kombit dhe drejtësisë shqiptare.