Partizani është rikthyer në një forma mjaft të mirë në fazën e fundit të sezonit dhe është shumë pranë arritjes së objektivit Europë me trajnerin Klevis Dalipi. Por tashmë “Të Kuqtë” po tregohen të kujdesshëm që të mos përsërisin gabimet e mëparshme me talentet e rinj. Kujtojmë që Amir Rrahmani u largua me parametra zero, një futbollist nga i cili mund të përfitoje një shumë të majme. Këtë gabim drejtuesit e kuq nuk duan që ta përsërisin edhe me mesfushorin e kthyer në “sulmues”, Jurgen Bardhin.
Partizani e sheh si një nga xhevahirët e klubit që mund të ketë treg jashtë dhe duan ta shesin. Synimi i kryeqytetasve është të kthehen në një klub që shet futbollistë dhe të kalojnë në një shoqëri suksesi. Bardhi dhe Mala janë dy emrat më të përfolur momentalisht.
Bardhi ka një kontratë afatgjatë, por për ta mbrojtur nga sulmet brenda kampionatit shqiptar, Partizani i ka vendosur një klauzolë të çmendur. Burime të ndryshme të Eduasportin.com bëjnë me dije se futbollisti ka një klauzolë prej 1 milion eurosh, një shifër e çmendur për tregun shqiptar. Të njëjtën klauzolë ka në kontratë dhe futbollisti i Kukësit, Sindrit Guri.