Raporti i dorëzuar në Komisionin e Disiplinës nga inspektorët e UEFA-s për të dënuar Skënderbeun me 10 vite pezullim nga kompeticionet e kësaj të fundit dhe 1 milion euro gjobë, ka në brendësi një numër të madh ndeshjesh të trukuara.
Bëhet fjalë për ndeshje të luajtura në raundet kualifikuese të Champions League, Europa League, si dhe në Kupë e në kampionatin shqiptar duke filluar që nga viti 2009-2010 deri në ndeshjet e këtij viti.
Bëhet fjalë për më shumë se 60 ndeshje të trukuara në kampionat dhe në Europë, ku janë pikasur ndryshime të çuditshme koeficentesh në kompanitë e basteve; Një numër ekstremisht i lartë, që në rast se do të vërtetohet të jetë i tillë atëherë do të jetë një skandal që ka sjellë miliona euro në xhepat e korçarëve.
Ndeshjet që ngritën më shumë dyshime janë ato të zhvilluara në fazën kualifikuese të Champions League dhe Europa League në vitin 2015, që cilësohen edhe provat më të forta që mund të rrënojnë Skënderbeun, sipas raportit të inspektorëve të UEFA-s.
Në këtë skandal, sipas UEFA-s, janë të përfshirë që nga futbollistët tek presidentët e klubit dhe ish-ministri Ridvan Bode. Bëhet fjalë për një skandal të madh, ku UEFA së fundmi në një qëndrim për këtë çështje është shprehur se drejt inspektorëve të tyre kanë ardhur kërcënime me vdekje.
Ndërkohë Skënderbeu i është përgjigjur menjëherë, duke mohuar çdo lidhje të drejtuesve të ekipit me këto kërcënime. Po ashtu ka akuzuar UEFA-n se raporti ka dalë nga zyrat e tyre dhe ka treguar gatishmërinë për ti shkuar deri në fund këtij hetimi.
Hetimi fillon që nga viti 2009-2010 deri në sezonin që po zhvillohet tani dhe llogaritet që manipulimet e ndeshjeve të jenë të mëdha. Gjatë kësaj periudhe ekipi i Skënderbeut ka qenë i drejtuar nga presidentët, Agim Zeqo dhe Ardian Takaj, por nuk ngelet pa u përfshirë edhe ish-ministri Ridvan Bode si një mbështetës financiar.
Ja çfarë thotë raporti për Ridvan Boden:
Individë të dyshuar të përfshirë në manipulimin e ndeshjeve të Skënderbeut
a) Hyrje
Është parashtruar se Skënderbeu është i përfshirë në manipulimin e një sasie të madhe ndeshjesh në garat evropiane, vendase dhe miqësore që nga viti 2010. Hetimi i kryer nga UEFA që mbulon atë periudhë, dhe sugjeron se pazaret e ndeshjeve janë drejtuar dhe operuar në veçanti nga Ridvan Bode (mbështetës financiar, ish-ministër i Financave),
– Agim Zeqo (ish-president i klubit), dhe,
– Ardjan Takaj (president i klubit).
b) Ridvan Bode (mbështetës financiar)
Ridvan Bode ishte ish-ministri i Financave dhe u bë donator i klubit pasi ndryshimeve hierarkike të lartpërmendura, gjatë sezonit 2009/10.
Ai vazhdoi të ishte një person me ndikim te Skënderbeu dhe më pas kishte ndikim mbi personelin dhe fiksimin e ndeshjeve në klub.
Ndërsa ai ishte Ministri i Financave, ai që pilotoi privatizimin fitimprurës.
Duke vepruar kështu, zoti Bode thuhet se i ka trukuar shumë ndeshje. Zoti Bode u akuzua gjithashtu në vitin 2013 për deklarimin e rremë të pasurisë së tij dhe pastrimin parash.
Pas një ndeshje mes Skënderbeut dhe Dinamos, në Tiranë, në vitin 2011, trajneri i skuadrës nga kryeqyteti, Luis Manuel Blanco, tha se ai dhe klubi i tij u kërcënuan nga Ridvan Bode për ta humbur ndeshjen.
Blanco zbuloi se kërcënimi ishte adresuar nga z. Bode si më poshtë:
“Nëse na rrënoni festën, unë do t’ju shkatërroj!” Ekipi ynë duhej të humbiste. Nuk munda t’u besoja syve. Ishte e tmerrshme”, ka thënë Luis Manuel Blanco duke iu referuar kërcënimeve të Bodes.
BFDS ka përshkallëzuar masat ndaj tre ndeshjeve të Skënderbeut, më 13/11/2010, 25/02/2011 dhe 15/04/2011, ka luajtur kundër Dinamos në Tiranë. Siç është shpjeguar në përshkrimin e mësipërm e këtyre ndeshjeve BFDS arriti në përfundimin se dy të parët ishin “shumë të dyshimta dhe më së shumti të manipuluara me gjasë për qëllime bastesh “, ndërkohë që në ndeshjen e tretë ka pasur dëshmi se kjo ndeshje ishte manipuluar për qëllime bastesh në një orkestrim të saktë, me fitime korruptive të basteve të krijuara si rezultat.”
(Pikat 15 dhe 22)
Ridvan Bode thuhet gjithashtu se ka një lidhje të ngushtë me klubet e tjera në Shqipëri. Ai është një donator kryesor të KS Shkumbinit, bashkë me Dashnor Sula. Të dy ata ishin anëtarë të Parlamentit Shqiptar dhe Partisë Demokratike. Në të vërtetë, dhe jo çuditërisht, BFDS përshkroi dy ndeshje mes Skënderbeut dhe KS Shkumbinit, të luajtur në të 12/12/2010 dhe 08/12/2012, të përcaktuara për qëllime bastesh dhe të fituara nga Skënderbeu.
Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve të UEFA (BFDS) arriti në përfundimin se të dyja këto ndeshje ishin “shumë të dyshimta dhe më shumë të ngjarë të manipuluara për qëllime bastesh”
(Pikat 17 dhe 34)
Së fundi, gjatë një seance në Parlamentin shqiptar të mbajtur më 21 dhjetor 2015, deputeti i partisë socialiste Erjon Braçe e akuzoi publikisht zotin Bode për vendosjen e basteve dhe manipulimin e ndeshjeve.
Ai deklaroi: “Në këtë parlament është një person [duke iu referuar Ridvan Bodes që di të vendosë baste shumë mirë, madje ai e di se si të menaxhojë një ndeshje, por unë nuk po shkoj më tej në këtë histori.”
Nga sa më sipër mund të konkludohet vetëm se z. Bode posedon pushtetin, lidhjet dhe njohuritë për të ndikuar në rezultatet e ndeshjeve të Skënderbeut, dhe ai e ka bërë këtë gjatë viteve. Është vërtet tronditëse të shohësh një person në një pozicion publik, përpjekja e të cilit për të ushtruar ndikim të padrejtë në rezultatin e një ndeshje shkon deri aty sa të kërcënojë trajnerin e kundërshtarëve.
Nuk është befasi që BFDS ka përshkallëzuar masat ndaj Skënderbeut, për mundësinë e manipulimit në një shkallë tejet të lartë, duke përfshirë klubet që kanë qenë ose nën presion e z.Bode (Dinamo dhe Tirana) ose të kontrolluar nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini).
Kjo, së bashku me perceptimin e tij tashmë të njohur publik, si thjesht trukues të ndeshjesh, dëshmon se ai është pjesë përbërëse e skemës së Skënderbeut.
Por, çfarë thotë ish-ministri i Financave?
“Është një përgjigje që e kam dhënë një herë publikisht. Është e njëjti thashethem, si i mëparshmi. As trajnerin, as presidentin, as ndonjë futbollist nuk i kam takuar kurrë dhe as kam folur kurrë në telefon. Mesa di unë, çështja është hetuar”, tha Bode në një prononcim për Tirana Today, duke iu referuar trukimeve dhe akuzës së ish-trajnerit të Dinamos për presion për të humbur ndeshjen.
1-Crusaders FC vs. Skenderbeu (UCL, 21/06/2015)
Skënderbeu zhvilloi ndeshjen e dytë, apo të kthimit me irlandezo-veriorët të cilët në “Elbasan Arena” i kishin mposhtur me rezultatin e thellë 4-1. Dyshimet në këtë sfidë janë në pjesën e dytë, pasi e para u mbyll me porta të paprekura dhe në të dytën u shënuan plot 5 gola. Fillimisht ishte Skënderbeu që po dominonte ndeshjen me avantazhin 1-2, por në 12′ minutat e fundit ndodh manipulimi. Vendasit e Crusaders në 12′ minutat e fundit arrijnë të shënojnë dy gola dhe të përmbysin rezultatin dhe ajo që bie në sy është neglizhenca që tregon mbrojtja e Skënderbeut në pësimin e golave. Në fundin e këtij takimi sipas ekspertëve të basteve ka pasur një luhatje koeficientesh e cila ngre dyshime të forta për ta cilësuar si ndeshje të trukuar.
2-NK Dinamo Zagreb vs. Skënderbeu (UCL, 25/08/2015)
Në ndeshjen e kthimit me Dinamon e Zagrebit, në raundin final për kualifikim në fazën e grupeve të Champions League dyshohet për një tjetër manipulim nga ana e korçarëve. Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultatin 1-2 në favor të kroatëve dhe kjo linte pak shpresa për një kualifikim të Skënderbeut. Pjesa e parë në Kroaci përfundon me rezultatin 2-1 në favor të vendasve, që do të thotë edhe fundi i shpresave për Skënderbeun që të vazhdonte më tutje. Në dy golat e fundit të shënuar nga Dinamo e Zagrebit, inspektorët kanë diktuar dy raste tolerim të qëllimshëm nga lojtarët e Skënderbeut. Fillimisht është mbrojtësi Renato Arapi i cili preferon të mos bëjë një ndërhyrje për të larguar topin gjatë një aksione dhe sulmuesi kundërshtarë i pashqetësuar godet topin drejt portës. Edhe në golin e katërt protagonist bëhet portieri Orges Shehi, i cili rri në vend pa lëvizur, në rastin e aksionit ku nuk bllokon kundërshtarin por qëndron në linjën e tij. Dy raste që kanë bërë inspektorin dhe ekspertin e basteve ta etiketojnë si një ndeshje të manipuluar.
3-Sporting Clube de Portugal vs. Skënderbeu (UEL, 22/10/2015)
Një disfatë e thellë në ndeshjen e kthimit në Portugali, në përballjen e grupit H në Europa League, e cila përfundoi me rezultatin 5-1. Hamdi Salihi bëhet protagonist në 24′ minutat e para të sfidës ku ndëshkohet me dy kartonë të verdhë dhe lë ekipin me 10 lojtarë, pas një prekje me dorë në zonë. Pjesa e parë përfundon me rezultatin 2-0, ndërsa shumë shpejt në të dytën rezultati shkon në 4-0. Në këtë sfidë manipulimi sipas inspektorëve ndodh në 20′ minutat e fundit ku Skënderbeu lejon Sportingun të shënojë të pestin dhe në minutat e fundit kontrollon lojën dhe shënon një gol. Janë vënë re parregullsi në bastet aziatike, ku ka pasur luhatje të pazakonta në 5 minuta. Në këtë sfidë ekipi që akuzohet për manipulim është vetëm Skënderbeu.
4-Skënderbeu vs. FC Lokomotiv Moskva (UEL, 10/12/2015)
Ndeshja përfundon me rezultatin e pastër 0-3, ndeshja e fundit e fazës së grupeve dhe Skënderbeu nuk kishte asnjë shpresë për ta kaluar atë. Kjo ndeshje është piketuar si e manipuluar, duke u luajtur në baste me gola. Lokomotiva gjen golin e tretë në fundin e takimit dhe duket qartë që mbrojtja e Skënderbeut nuk është e interesuar që të ndalë sulmin, por bën teleshikuesin. Edhe portieri Orges Shehi nuk angazhohet për të ndaluar sulmin dhe ia bën mjaft të lehtë kundërshtarit që ta dërgojë topin në rrjetë.
Nga faqja 25 deri në faqen 41 gjeni të gjitha ndeshjet të cilat janë etiketuar si të manipuluara nga inspektorët e UEFA-s. Ku janë të përfshira ndeshje në raundet e Champions League, Europa League si dhe në kategorinë Superiore dhe Kupën e Shqipërisë. TIRANA TODAY
Report UEFA v Skenderbeu1 by Tirana Today on Scribd